
Hera e parë kur Adem Demaçi u mat me rrehë dikënd
July 27, 2025
AA
Agim Morina
Redaksi e revistës «Forumi», revistë që doli në vitet 1993-94, ishte shtëpia e Bacës Adem. Në katin e dytë, djathtas. Ishte kohë kur Serbia klerofashiste kishte vendosë me i mbyllë edhe gazetat dhe revistat në gjuhën shqipe. Kjo, sipas Demaçit, do të shkaktonte një terr informativ dhe mundësi me përhapë lajme të rreme e spekulative, prandej kishte vendosë me e nisë këtë revistë.
Adem Demaçin e kisha taku vetëm një herë, gjatë intervistës që i pata ba, bashkë me Blerim Shabanin, derisa punoja në gazetën e studentëve «Bota e re», rreth një muej mbasi kishte dalë nga burgu, në vitin 1990 . Dhe njoftimin për daljen e revistës ma dha Haqif Mulliqi. Mbas muhabetesh të ndryshme në redaksi mbetëm unë dhe Lulzim Mjeku. Të dy punonim të gjitha punët që duheshin: edhe gazetarë, edhe lektorë, ndërsa unë edhe si ilustrator. Drejtor ishte Shaip Beqiri, ndërsa kryeredaktor Baca Adem.
Sidoqoftë, përpunimi grafik i gazetës bahej në një godinë në rrugën përballë «Rilindjes», në kompaninë «Infotrade». Revista dilte një herë në javë dhe duhej një punë mjaft e madhe për me mujtë m u ba ballë dinamikës dhe kërkesave të një reviste javore. Një nga punët ma të mundimshme ishte korrektimi dhe redaktimi gjuhësor. Shumica e shkrimeve vinin me shumë gabime drejtshkrimore dhe gjithë barra e kësaj pune binte mbi ne të dy, mbi Lulin dhe mbi mue. Sado që mundoheshim të kryenim punën tonë, nuk mund t’u shpëtonim gabimeve që na iknin gjatë korrektimit. Ishte punë me vëllim të madh dhe përballje me tekste që ndonjëherë duhej me i deshifru si hieroglifet egjiptase. Ndonjëherë, kur ishim të stërngarkuem, na vinte në ndihmë Shaipi.
Baca Adem vazhdimisht shkrunte kryeartikullin në faqen e tretë. Si lexues i vëmendshëm, aj kontrollonte çdo numër pas botimit. Mbas disa numrash, si me humor, në një nga mbledhjet në shtëpinë e tij, na tha, Lulit e mue:
– Shumë gabime po jo dalin në gazetë, për besë. Nuk jeni tue punu qysh duhet. Kam me jua ndalë cërkavicën!
Na qeshëm. I thamë që na po përpiqemi me ba çfarë po mundemi, por ishte e vështirë mos me na shpëtu ndonjë gabim, sepse vëllimi dhe dinamika po na imponojnë një rezultat të tillë.
E aj na ktheu:
– Jo, jo, duheni me i hapë sytë ma shumë!
Kaluen edhe nja dy javë dhe, qe, Baca Adem në zyrat e «Infotrade»-it. E kishte sjellë shkrimin e tij dhe kur na e dorëzoi na tha:
– Prapë i kam lexu dy numrat e fundit dhe prap ka shumë gabime! Për besë, kam me jua ndalë cërkavicat!
– Eu, Binak, eu! – thamë me vete unë e Luli!
Unë mora shkrimin e Bacës Adem dhe i hodha një vështrim. Në çast m’u kujtu një shteg shpëtimi për ne e i thashë:
– Baca Adem, a asht ky shkrimi yt për këtë numër?
– Po, – tha.
– A asht gati për botim? A duhemi me korrektu na ndonjë gja?
– Jo, jo, e kam shkru dhe e kam lexu disa herë. Nuk jua la ma juve në dorë! Se ju s’jeni tue ba kurrfarë pune të hajrit, ashtu se ashtu.
– Mirë shumë, por, të lutem lexoje edhe një herë e masandej e shtypim dhe e shohim edhe na.
– Jo, bre, – nguli kambë aj, – gjithçka asht në rregull, veç qiteni dhe botojeni. Pse a po dyshoni në mue a, në ujkun e vjetër?
– Jo, bre, Baca Adem, nuk po dyshojmë në ty asnjë fije, veç a ban për hatrin tonë me e lexu edhe një herë. Qe lapsin e kuq dhe veç shikoje edhe një herë.
Si zemërbutë që ka qenë, iu bind lutjeve tona dhe u ul. E lexoi me seriozitet, dalngadalë. Dhe lapsi i tij i kuq ia nisi me i ly buzët e ndonjë fjale me të kuq. Unë dhe Luli buzëqeshnim fshehtas, derisa Baca Adem bante “Qy, qebesa, edhe një! Qysh s’e paskam pa!”, e pak ma vonë “Qy, edhe një! Eu!”, e dikur, kur e përfundoi, na ktheu fletët tue thanë: ”Për besë, për pak e me u koritë! Boll mirë që e lexova edhe një herë!”
– A e përfundove Baca Adem?
– A, – tha aj, – tash e kam ba gati si nuse!
– A je i sigurtë, Baca Adem?
– A hajgare po bani me mue a? Shtypeni lirisht.
– Ma mirë kish me qenë me lexu edhe një herë, Baca Adem, sepse me korrektim kurrë s’i dihet. Gjithmonë diçka të ik.
– Jo, jo, s’ka pasë çka me më ikë ma. Tash asht fishkëllimë.
– Mirë, – i thamë na dhe ia dhamë një vajze që punonte në kompjuter që t’i bantë përmirësimet. Sapo e keru punën, shtypi disa kopje. Unë prapë e mora njënën dhe i thashë Bacës me lexu. Aj qeshi e ma bani me dorë që mund ta lexoja tash unë.
Edhe unë, edhe Luli nisëm korrektimin. Mbas disa minutave, kur e kryem korrektimin, ia dhamë Bacës Adem. Aj u ndal, u përqendru, u mërrol pak. E la kopjen e Lulit dhe e mori timen. E kqyri, sikur u habit pak. Mori frymë thellë. Ne po prisnim me kurreshtje reagimin e tij.
– Për besë… – shfryni Baca Adem dhe u ndal.
Ne desh na u ndal fryma tue pritë fjalët e radhës.
– …qebesa… veç mos të kisha qenë unë qeky vetë që e ka shkru këtë, se pa e rrehë kurrë s’e kisha lanë!
Një buzëqeshje e ambël ia ndriti fytyrën.
Luli e unë ia plasëm të qeshunave. Na u bashku edhe e qeshuna e matun e Bacës Adem. E nëpër të qeshuna tha:
– Tash po e kuptoj që ju e paskeni punën të vështirë, qebesa! S’po jua ndali cërkavicën.
Aj bani huxhum me rrehë veten, por na, natyrisht, nuk e lamë.