
Higjiena Komunale-Shkup: Visar Ganiu me “borxh deri në fyt” ndaj nesh!
Komuna e Çairit i ka borxh mbi 7 milionë denarë Ndërmarrjes Publike Higjiena Komunale – Shkup, sipas një njoftimi zyrtar të bërë publik nga drejtori i ndërmarrjes, Sabahudin Rustemi.
Borxhi i akumuluar përfshin detyrime financiare të papaguara nga vetë objekti i komunës, si dhe institucionet nën juridiksionin e saj, përfshirë shkollat fillore dhe çerdhet. Sipas NP Higjiena Komunale, ky borxh është grumbulluar që nga momenti kur Visar Ganiu mori detyrën si kryetar i Komunës së Çairit.
“Z. Ganiu, përmes deklaratave që sugjerojnë se Ndërmarrja jonë nuk i përmbush detyrimet, përpiqet të largojë vëmendjen nga problemet reale që po i shkakton vetë,” thuhet në reagimin e ndërmarrjes. Aty theksohet se aktivitetet për pastrimin dhe mirëmbajtjen e territorit të komunës po kryhen rregullisht dhe në përputhje me Planin Operativ të miratuar nga Këshilli i Qytetit të Shkupit.
Ndërmarrja deklaron se, ndonëse borxhi nuk e ka ndërprerë punën e tyre, ai ndikon në qëndrueshmërinë dhe cilësinë e shërbimeve të ofruara për qytetarët. “Komuna e Çairit është informuar vazhdimisht në mënyrë institucionale për ekzistencën e këtij borxhi, por nuk ka ndërmarrë hapa konkretë për zgjidhjen e tij,” vijon deklarata.
Rustemi theksoi se nga të gjitha komunat e Qytetit të Shkupit, vetëm Komuna e Çairit ka një borxh të tillë ndaj ndërmarrjes. Ai i bëri thirrje autoriteteve komunale të marrin përgjegjësinë për detyrimet e tyre financiare, duke e konsideruar këtë si parakusht për ofrimin e shërbimeve cilësore dhe të qëndrueshme.
“NP Higjiena Komunale Shkup do të vazhdojë me përkushtim dhe profesionalizëm t’i kryejë detyrimet e saj ndaj qytetarëve, por kërkojmë që edhe Komuna e Çairit të tregojë përgjegjësi institucionale,” përfundon deklarata./ZYRTARE.net/