
Hoxha: Ata që tradhtuan 107 mijë votues, sot bëjnë zëdhënësin e Grubit
Zëvendësministri i Bujqësisë nga radhët e koalicionit VLEN, Albrim Hoxha, ka reaguar ashpër ndaj ish-bashkëpartiakëve që u larguan nga qeveria aktuale dhe tani po dalin me qëndrime kritike ndaj projektligjit për përfaqësim të drejtë.
Në një status të publikuar, Hoxha i quan këto veprime një “tragjikomedi”, duke akuzuar të larguarit se “braktisën betimin para 107 mijë shqiptarëve” dhe tani janë shndërruar në “shkrues të kumtesave të Artan Grubit”.
“Një grupim që mezi mbush një kiosk cigaresh në qytet nuk ka as mandat moral dhe as kredibilitet politik për të folur për barazi, kur vetë firmosën koalicion me autorët e padrejtësive ndaj shqiptarëve që nuk ishin pjesë e BDI-së”, shkruan Hoxha.
Ai gjithashtu ka kritikuar qëndrimin kontradiktor të këtij grupimi ndaj projektligjit për përfaqësim të drejtë, duke thënë se “nga njëra anë e quajnë alibi ligjore, nga ana tjetër bëjnë thirrje që të kalojë urgjentisht në Kuvend”.
Sipas tij, projektligji në fjalë do të dërgohet për vlerësim në Komisionin e Venecias, për të shmangur gabimet e së kaluarës kur ligje të rëndësishme të paralajmëruara nga BDI “nuk gjenin asnjëherë zbatim dhe krijonin më shumë probleme sesa zgjidhje”.
“Nuk është ligj i Grubit e as i Karakamishevës, por pjesë e një agjende qeveritare që për herë të parë po synon të rregullojë një padrejtësi të vjetër, atë që BDI nuk e zgjidhi as në vitet 2002-2003”, thekson Hoxha, duke akuzuar ish-partinë në pushtet për mungesë interesi për barazi dhe fokus vetëm tek “tenderët, postet dhe pasuritë personale.”