
Hoxha: Ndaj Spanjës, të luajmë me zemër për të nderuar veten dhe Shqipërinë
Shqipëria ka sot ndeshjen më të rëndësishme të “Euro 2024”, atë ndaj Spanjës, e vlefshme për Grupin B. “Kuqezinjtë” e trajnerit Silvinjo kanë nevojë për fitore për të shpresuar të kualifikimi në fazën tjetër.
Sulmuesi i Shqipërisë, Arbër Hoxha, ka folur për kanalet zyrtare të UEFA-s në prag të ndeshjes kundër Spanjës.
“Pasi kam parë dy ndeshjet e para të Spanjës, më duhet të them se ata janë ekipi më i mirë në këtë grup dhe në gjithë këtë turne”, tha Hoxha.
“Spanja ka disa lojtarë të jashtëzakonshëm. Ne e pamë kundër Italisë që ata kanë dominuar në fushë. Pothuajse gjatë gjithë ndeshjes”, tha më tej sulmuesi që luan me Dinamo Zagrreb në Kroaci.
“Jemi të vetëdijshëm se sa e vështirë do të jetë të luajmë kundër tyre. Ne do të përpiqemi të luajmë me zemër për të nderuar veten dhe Shqipërinë”, tha Arbër Hoxha, protagonist në baraizmin 2-2 ndaj Kroacisë.