
Hoxhaj: PDK-ja do të bëjë çdo gjë për ta mbështetur Hamzën si kryeministër, nuk shohim mundësi bashkëpunimi me VV-në

Enver Hoxhaj, ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës nuk sheh mundësi bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje pas zgjedhjeve.
Sipas tij, edhe pse është e drejtë e Vetëvendosjes, si parti e parë, të synojë formimin e qeverisë, nëse kjo nuk realizohet, atëherë kjo përgjegjësi do t’i kalojë PDK-së.
“Mendoj se pasi të mbyllet procesi i votimeve ne do të duhet të vendosim për situata të veçanta në mënyrë të veçantë por parimisht dhe këtu jemi shumë të vendosur ne shohim Bedri Hamzën kryeministër dhe PDK-ja është e vendosur që të bëjë çdo gjë që ta mbështesë zotin Hamza që të jetë Kryeministër i qeverisë së Republikës së Kosovës”.
“Ne kemi patur kritikë të madhe për LVV-në gjatë katër viteve të fundit të qeverisjes, mendoj që me sjelljet dhe veprimet e tij, zoti Kurti, e ka dëmtu shumë interesin shtetëror të Kosovës prandaj edhe nuk shohim ndonjë mundësi të bashkëpunimit me këte subjekt politik ” tha Hoxhaj për Blic Interview.