Hoze Murinjo si pasuesi i Çavit në stolin e Barcelonës?!
Horhe Mendes i ka ofruar klientin e tij, Hoze Murinjon, që të pasojë Çavi Hernandez dhe të bëhet trajneri i ri i Barcelonës. Ditë më parë trajneri portugez u shkarkua nga Roma, të cilën e drejtoi për dy vite e gjysmë dhe sipas “El Nacional”, Mendes ia propozoi këtë ide presidentit të Barcelonës, Zhoan Laporta.
Shkak bëhet fakti se katalanasit janë vetëm në vendin e katërt në La Liga, ndërsa së fundmi kanë humbur 4-1 nga Real Madridi në finalen e Superkupës së Spanjës. Në fillim të karrierës së tij si trajner, Murinjo ishte një asistent i Sir Bobi Robsonit dhe Luis Van Gaal në Barcelonë, dhe si trajner më vonë ai drejtoi Benfikën, Leiria-n, Porto-n, Çellsin, Interin, Real Madridin, Man. Junajtedin dhe Totenhamin.
Nga ana tjetër, Çavi e mori Barcelonën në vitin 2021 dhe kontrata e tij është e vlefshme deri në fund të sezonit 2024/25. Deri më tani, ai ka kaluar 118 ndeshje në stol dhe ka fituar kampionatin e Spanjës dhe Superkupën e Spanjës.