Hykmete Bajrami godet Abdixhikun: Ju jeni i fundit që mund të flisni për parime, ambicie e shtet
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, i është përgjigjur deklarimeve të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke thënë se “shteti nuk rrotullohet për një ambicie”.
Bajrami, përmes një postimi, ka thënë se pajtohet me këtë qëndrim, por ka theksuar se fillimisht duhet bërë dallimi mes shtetit dhe karriges.
“Pajtohem: s’rrotullohet shteti për një ambicie. Pikërisht për këtë arsye, le të flasim për shtetin, por, fillimisht, duhet ta bëjmë dallimin mes shtetit dhe karriges. T’i kthehemi shtetit!”, ka shkruar Bajrami.
Në postimin e saj, Bajrami ka kritikuar edhe mënyrën e udhëheqjes së LDK-së, duke e cilësuar Abdixhikun si “humbës të trefishtë” dhe duke thënë se ai duhet të kishte marrë përgjegjësi pas humbjeve të njëpasnjëshme zgjedhore.
Ajo ka renditur edhe një sërë çështjesh që, sipas saj, përbëjnë problemet kryesore të shtetit, përfshirë situatën me konstituimin e Kuvendit, funksionimin e ministrive, institucionet e bllokuara, arsimin, inflacionin, tenderët njëburimorë, sanksionet e BE-së dhe rrezikun për humbjen e mjeteve nga Plani i Rritjes.