Hysaj “bllokohet” nga paga e lartë, nuk largohet në janar?!
Elseid Hysaj vazhdon të ndjekë si një spektator ndeshjet e kampionatit të Lacios, ashtu si edhe ato të Ligës Europa të bardhekaltërve. Mbrojtësi nuk është regjistruar me bardhekaltrit për këtë sezon në këto kompeticione dhe mund të aktivizohet vetëm në ndeshjet e Kupës së Italisë me ta.
Lacio shpreson që ta shesë në janar, ndërsa duket se është gati që ta lërë të largohet edhe si futbollist i lirë. Por ky variant për momentin duket i largët për mbrojtësin e Kombëtares. Pengesa më e madhe për largimin e Hysajt është rroga e lartë që përfiton te Lacio.
Meqë ai kaloi në radhët e këtij ekipi me parametër zero, mbrojtësi siguroi një kontratë të majme nga e cila aktualisht përfiton 2,8 milionë euro në sezon. Një shifër shumë e lartë që mban larg skuadrat e tjera të interesuara për mbrojtësin, i cili nuk ka ndër mend të heqë dorë nga një pagë e tillë deri në fund të këtij sezoni.
Kështu, Lacio do të jetë e detyruar ta paguajë deri në fund futbollistin i cili stërvitet rregullisht, por nuk mund të aktivizohet javë pas jave si shokët e skuadrës.