Ilir Demiri: Safe City nuk është kundër shqiptarëve, veproj si deputet i pavarur dhe pa presion
Deputeti Ilir Demiri ka reaguar publikisht pas aludimeve dhe kritikave të fundit ndaj emrit të tij, duke theksuar se angazhimi i tij politik është i bazuar në parime morale, përgjegjësi personale dhe shërbim ndaj qytetarëve, e jo në interesa personale apo partiake, përcjell Zyrtare.net
Në reagimin e tij, Demiri thekson se politika për të nuk ka qenë kurrë profesion, por mjet shërbimi, duke rikujtuar se rrugëtimi i tij publik ka nisur nga profesioni i mjekut, me betimin për t’u shërbyer të gjithë qytetarëve pa dallim nacionaliteti apo feje. Sipas tij, ky parim ka udhëhequr çdo funksion që ka ushtruar, nga drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, ministër i Shëndetësisë, deri te deputet në Kuvend.
Ai rikujton periudhën kur drejtoi Spitalin e Tetovës, duke nënvizuar se bashkë me stafin u ndërmorën hapa konkretë për vendosjen e rendit, ndalimin e uzurpimeve, rregullimin e parkingut dhe sigurimin e aparaturave të reja, përmirësime që, sipas tij, janë vlerësuar pozitivisht nga qytetarët.
Demiri sqaron se vendimi për të garuar për deputet ka ardhur nga nevoja për të qenë zëri i qytetarëve në Kuvend, veçanërisht i shqiptarëve, të cilëve, sipas tij, u ka munguar për vite një përfaqësim i ndershëm dhe i pavarur nga interesat e pushtetit.
Duke iu referuar drejtpërdrejt debatit për projektin “Safe City”, Demiri thekson se vota e tij nuk ka qenë vendimtare për miratimin e ligjit, pasi ai do të kalonte edhe pa të, por shton se qëndrimi i tij pro këtij projekti buron nga bindja se ai rrit rendin dhe sigurinë publike dhe nuk dëmton qytetarët. Ai mohon kategorikisht çdo presion politik, duke theksuar se vepron si deputet i pavarur dhe se askush nuk mund ta kërcënojë apo ta bindë të veprojë kundër interesit publik.
“Pretendimet se vota ime ka qenë kundër shqiptarëve janë të pavërteta dhe të pabazuara”, deklaron Demiri, duke iu referuar edhe statistikave zyrtare të Regjistrimit të Popullsisë 2021, sipas të cilave projekti zbatohet në qytetet më të mëdha dhe nuk targeton asnjë komunitet të veçantë.
Në fund, Demiri rithekson se mbetet deputet shqiptar që mbron interesat e komunitetit të tij dhe të të gjithë qytetarëve pa dallim, duke garantuar se do të vazhdojë të qëndrojë në anën e qytetarit, “me ndërgjegje të pastër dhe përgjegjësi të plotë morale”./ZYRTARE.net/