
Instalacioni artistik “Fike gjuhën e urrejtjes” nxit tolerancën dhe respektin
Në hapësirën publike në qendër të Shkupit, në sheshin e vogël te Kim-i, është vendosur një instalacion i ri artistik-aktivist me titull “Fike gjuhën e urrejtjes”. Objekti kryesor është një ndërprerës i madh me përmasa 100x200x150 cm, i cili simbolizon butonin që qytetarët duhet të shtypin për të ndaluar gjuhën e urrejtjes, trasmeton Flaka
Por mesazhi i aksionit nuk është thjesht simbolik. Aktivistët theksojnë se fikja e gjuhës së urrejtjes nuk është e lehtë në realitet, ndaj ndërprerësi mbrohet me një gardh druri të mbështjellë me tela me gjemba, duke treguar pengesat që krijohen nga ata që e përhapin urrejtjen.
Siluetat e “rojtarëve” rreth ndërprerësit paraqesin figurativisht aktorët që nxisin gjuhën e urrejtjes, si partitë politike, ekstremistët, rrjetet sociale dhe kuazi-mediat.
Siç shprehen autorët e aksionit:
“Ndonëse qytetarët kanë vullnet dhe dëshirë të fikin gjuhën e urrejtjes, barrierat sistematike dhe interesat e ‘rojtarëve’ e bëjnë këtë pothuajse të pamundur.”
Aksioni ka për qëllim të tërheqë vëmendjen e publikut, të nxisë mendim kritik dhe debat mbi dëmet e gjuhës së urrejtjes, si dhe të theksojë rëndësinë e unitetit dhe solidaritetit për ta kapërcyer atë.
Vendosja e instalacionit është bërë në Portën Bunjakovec, në kryqëzimin e rrugëve Leninova (Aminta Treti) dhe Bulevardi Partizanski Odredi. Ky projekt është realizuar nga Qendra për Arte Bashkëkohore – Shkup, në kuadër të projektit Rrjeti për Diversitet 2.0 – Agjenda e Re, i zbatuar nga Shoqata për Avancimin e Praktikave të Gazetarisë “Media Inovative – Shkup”.
Sipas organizatorëve:
“Kultura dhe arti janë vegla të fuqishme për ndryshim dhe mbrojtje të vlerave demokratike. Ky aksion është një thirrje për të gjithë qytetarët që të bëhen të vetëdijshëm për sa destruktive është gjuha e urrejtjes dhe për rëndësinë e veprimit të përbashkët.” Flaka