
Institucionet vendosën: Nuk ka keqpërdorime në Samitin e OSBE-së – akuzat e VLEN-it për Osmanin bien poshtë
Koalicioni VLEN ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike të Shkupit kundër kandidatit të BDI-së në Komunën e Çairit, Bujar Osmani, duke e akuzuar për keqpërdorime gjatë organizimit të Samitit të OSBE-së në Shkup në nëntor të vitit 2023, kohë kur ai udhëhiqte Ministrinë e Punëve të Jashtme, shkruan Flaka Media
Sipas Granit Osmanit VLEN ka dorëzuar kallëzim në Prokurorinë Publike që të veprohet mbi raportin negativ të Entit Shtetëror për Revizion në Ministrinë e Punëve të Jashtme, për kohën kur ministër ka qenë Bujar Osmani. Revizorët konstatuan se mbi 120 milionë denarë janë shpenzuar për Samitin e OSBE-së pa dokumentacion dhe evidencë. Kjo ngre dyshime serioze për keqpërdorim të parave publike. Nuk ka dëshmi se ku janë shfrytëzuar këto mjete dhe Prokuroria Publike patjetër të hetojë.”
Mirëpo, akuzat e VLEN-it nuk mbajnë nga faktet institucionale. Bujar Osmani i hodhi poshtë pretendimet duke theksuar se çështja është hetuar nga organet kompetente dhe është mbyllur:
“E para, nuk ka pasur asnjëherë revizion për OSBE-në. Ajo është një shpifje e ulët. Asnjëherë nuk është konstatuar ndonjë parregullsi. Unë vetë, para se të mbahet samiti, për shkak të mysafirëve që vinin, i kam dërguar në Komisionin Antikorrupsion dhe në Prokurori që vetë t’i kontrollojnë. Dyja institucionet kanë dalë me konstatim të shkruar, të cilën mund t’ua dorëzoj, se nuk ka asnjë parregullsi në këtë proces.”
Në fakt, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit që në vitin 2024 kanë konstatuar qartë se nuk ka pasur shkelje apo elemente të korrupsionit gjatë përgatitjeve për Samitin e OSBE-së.
Sipas tyre, procedura për përzgjedhjen e kompanisë që realizoi adaptimin e sallës “Boris Trajkovski” është bërë “në përputhje me ligjin, duke respektuar standardet më të larta për vlerësim të drejtë dhe pa elemente të korrupsionit”.
“Procesi ishte në përputhje me ligjet tona, u respektuan standardet më të larta për vlerësim të drejtë dhe nuk u gjetën elemente korruptive.”, thonë nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.
Pra, rasti është mbyllur institucionaisht dhe juridikisht, dhe nuk ekzistojnë fakte të reja që do të justifikonin rihapjen e tij. Edhe vetë Osmani theksoi se: “Në atë kohë, përballë një fushate akuzash, unë vetë kërkova kontroll nga institucionet kompetente. Pas një hetimi të plotë, ato dolën me përfundimin se çdo gjë ka qenë në përputhje me ligjin. Ky është një nga momentet më të rëndësishme diplomatike në historinë e shtetit tonë dhe nuk do të lejojmë që të njolloset nga shpifje elektorale.”
Ekspertët juridikë kujtojnë se raportet e Entit Shtetëror të Revizionit mund të evidentojnë mangësi administrative, por ato nuk nënkuptojnë automatikisht korrupsion. Në këtë rast, institucionet me kompetencë hetimi kanë thënë fjalën e tyre: nuk ka shkelje.
“Është e qartë se po bëhet keqpërdorim politik në prag të fushatës zgjedhore. Institucionet folën dhe thanë se nuk ka keqpërdorime në Samitin e OSBE-së – prandaj akuzat e VLEN-it për Osmanin janë boshe dhe po keqpërdoren për fushatë zgjedhore. Gati 1 vit e gjysëm janë në pushtet dhe tani po e hapin këtë temë tashmë të mbyllor. E bëjnë këtë për të krijuar huti te opinioni, se edhe ata e dijnë se s’ka asgjë nga kjo punë. Është një kundër spin ndaj akuzave të panumërta për kriminin që po ndodh në Çair dhe te kampi i Izet Mexhitit. E dijnë që prokuroria do të vonohet me përgjigjen, dhe këtë periudhë tentojë ta përdorin për poentime politike. Por qytetarët e kanë të qartë këtë punë”, thotë juristi Gent Aliu.
Në prag të zgjedhjeve lokale, VLEN po tenton ta rikthejë temën, por siç theksojnë burime nga organet e drejtësisë, çështja është e mbyllur dhe çdo rikthim i saj është politik e jo juridik. Flaka Media