
Inteligjenca artificiale nga janari në shkolla, mësimdhënësit nisin trajnimin
AA
Përdorimi i mjeteve të inteligjencës artificiale në shkolla është i pashmangshëm, andaj Ministria e Arsimit dhe Shkencës njofton se trajnimi i mësimdhënësve të parë tashmë ka filluar. Grupe përfaqësuese mësimdhënësish nga disa shkolla do të trajtohen dhe më pas njohuritë do t’i shpërndajnë me kolegët e tyre. Nga mësimdhënësi do të varet se cilat mjete do të përdorë por duke përgatitur fillimisht nxënësit se cilat janë aspektet pozitive dhe negative të inteligjencës artificiale. Zbatimi në arsim do të fillojë nga gjysmëvjetori i dytë.
“Dua t’u them prindërve se ky proces do të jetë rreptësishtë i kontrolluar. I falënderoj profesorët e Fakultetit të Informatikës që kanë bërë doracak të shkëlqyer në të cilin shkruhen edhe përparësitë, por edhe sfidat me të cilat do të mund të përballen mësimdhënësit dhe nxënësit. Sigurisht shumë nga këto gjëra i kushtohen aspektit etik, a do ta përdorin pa rregulla ose do ta përdorin drejt por dhe për siguri, për mbrojtjen e të dhënave personale, etj. Nuk mund ta zbatojmë papritur përnjëherë sepse është fillimi, por do ta zbatojmë gradualisht nëpër të gjitha shkollat, në të gjitha lëndët dhe në administratën shkollore”, tha Vesna Janevska, Ministre e Arsimit.
Janevska thotë se gjatë mandatit të saj është punuar për kthimin e mësimit në një ndërrim në shumë shkolla, miratimin e asistentëve personal edhe në shkollat e mesme dhe zgjidhjes së problemit të trashëguar me librat.
Nga viti i ardhshëm, MASH paralajmëron riorganizimin e mësimit në shkolla dhe transferimin e nxënësve sidomos në klasat ose shkollat ku numri i nxënësve është shumë i ulët.
“Këtë reformë shumë seriozisht do ta fillojmë vitin e ardhshëm që do të thotë më fillim e vitit 2026-2027. Vlerësoj se pjesa më e madhe e shkollave do të optimizohen kurse klasat të punojnë sipas ligjit. Kjo nuk vlen vetëm për shkollat e mesme ku klasat mund të funksionojnë edhe me numër më të vogël të nxënësve. Besoj se nuk mund të përfundojmë gjithçka brenda një viti por brenda dy vitesh pres që ajo të përfundojë”, deklaroi Vesna Janevska, Ministre e Arsimit.
Se sa është numri i saktë i nxënësve të regjistruar në klasat e para, Janevska thotë se nuk kanë akoma shifra zyrtare por dallimi nga viti i kaluar pritet të jetë minimal. Gjithsesi ministrja thotë se ulje më të madhe të nxënësve në klasat e para presin në vitet e ardhshme. /Alsat.mk