
Interi bën goditjen e madhe, merr Zalevskin nga Roma
Interi ka zyrtarizuar afrimin e mesfushorit anësorë Nikola Zalevski nga Roma. “Neroazzurët” kanë marrë si huazim për gjashtë muaj polakun me mundësi blerje në fund të sezonit për gjashtë milionë euro.
Por për të kompletuar këtë lëvizje, Zalevski fillimisht është dashur të nënshkruajë vazhdimin e kontratës me Romën.
“FC Internazionale Milano njofton se ka finalizuar transferimin e Nikola Zalevski me AS Roma. Mesfushori polak i lindur në 2002 do të transferohet te Interi në formë huazimi me një opsion blerjeje”, thuhet në njoftimin zyrtar të Interit.
Zalevski u kërkua edhe nga Gallatasaraj, PSV Aindhoven dhe Olimpik Marsej, por dëshira e tij ishte të mbetej në Serie A. Lojtari tanimë është takuar me pjesën tjetër të skuadrës dhe është nën urdhrat e trajnerit Simone Inzagit.