Interi mbron titullin, Milani e Juventusi kërkojnë kurorën në Seria A
Interi kampion do të zbresë në “Marassi” të Xhenoas për të provuar të riniset aty ku u ndal një sezon më parë. Tani fanella peshon më shumë sepse në kraharorin e zikaltërve janë të stampuar “dy yjet” që simbolizojnë 20 tituj kampionë në historinë e kampionatit italian.
Zikaltrit e dinë që të rifitojnë titullin kampion nuk do të jetë e lehtë, edhe pse ata konsiderohen si një nga skuadrat favorite nga të gjithë. Ekipi i Simone Inzagit ka ruajtur grupin e futbollistëve të rëndësishëm, formacionin nuk e ka prekur nga merkato dhe për më tepër ka afruar 3 elemente cilësorë si TaremiZielinski dhe portieri spanjoll Martinez. Përveç kësaj, trajneri e njeh mirë ambientin dhe nuk i duhet shumë kohë për t’u përshtatur, në krahasim me të tjerët. Skema do të vazhdojë të jetë e pandryshuar dhe objektivi po ashtu.
Mirëpo skuadrat e tjera të mëdha kanë lëvizur dhe kanë bërë revolucion për të tentuar të rrëzojnë Interin nga froni. Sigurisht që koha është në disfavorin e tyre pasi duhen pak javë që të përçojnë idetë në skuadrat e tyre. Napoli ia ka besuar ringritjen Antonio Kontes, ndërsa Juventusi Tiago Motës. Edhe Milani largoi Piolin për të nisur një aventurë me Fonsekën. Sinjalet kanë qenë pozitive.
Mirëpo Interi ka përpara një fakt të pakundërshtueshëm. Në 4 sezonet e fundit, skuadrat që kanë fituar titullin kampion nuk e kanë përsëritur dot këtë histori një vit më vonë. Juventusi ka qenë i fundit që dominoi bindshëm me 9 tituj radhazi dhe ishte Interi që ndali hegjemoninë e bardhezinjve. Kur të gjithë prisnin konfirmimin edhe pse Konte u largua, Inzagi nuk ia doli dot dhe ia dorëzoi titullin kushërinjve.
Edhe Milani pati të njëjtin fat, ku Napoli i Spaletit dominoi Italinë. Por vjet ndodhi sërish rokada e madhe. Interi dominoi dhe stërfitoi titullin. A do t’ia dalë edhe këtë vit? Sinjalet e para kuptohen sot. Në 18:30, do të luhet gjithashtu edhe ndeshja ParmaFiorentina, ndërsa në mbrëmje Milani përballë Torinos dhe Empoli-Monza.