Interi shton numrin e sulmuesve për sezonin e ardhshëm
Dy ditë pas eliminimit, kur gjakrat janë më të ftohtë, evidentohet sërish ajo që ishte cilësuar si një problem për skuadrën e Inzagit që në fillim të sezonit, fakti që dyshja Arnautoviç-Sançez nuk kanë arritur asnjëherë të ngrihen në nivelin e titullarëve Turam-Lautaro.
Nëse Interi ka bërë një sezon perfekt deri tani, është pikërisht falë dy sulmuesve që kanë shënuar shumë, por sa herë që është dashur ndihma e dy veteranëve që qëndrojnë në pankinë, ka munguar. Arnautoviç është dëmtuar për herë të dytë, duke konfirmuar se nuk jep garanci fizike, por edhe kur ka qenë në dispozicion të Inzagit, ka shpërdoruar shumë dhe këtu mjafton të sjellim në vëmendje dy raste flagrante ndaj Atletikos së Madridit në ndeshjen e parë në “San Siro”.
Nga ana tjetër edhe Sançez, përtej sinjaleve të mira që jep herë pas here, nuk ofron vazhdimësi dhe gjasat janë që klubi zikaltër të mos i rinovojë kontratën që i përfundon në fund të këtij sezoni. Për vitin tjetër sulmit do t’i shtohet edhe Mehdi Taremi, me iranianin që vjen me parametra zero nga Porto dhe është gati të bëjë rezervën e parë të Turamit dhe Lautaros, teksa i sigurt është edhe qëndrimi i Arnautoviçit, që ka edhe një vit kontratë dhe mund të largohet vetëm nëse vjen ndonjë ofertë joshëse nga Arabia Saudite.
Ndërkohë Marota e Ausilio janë të bindur që të rikthejnë në bazë edhe sulmuesin e talentuar argjentinas, Valentin Karboni, i cili po bën mjaft mirë këtë sezon te Monza, ku është në huazim. 19-vjeçari po bën mjaft mirë këtë sezon dhe po fiton eksperiencë, teksa për sezonin e ri Inzagi pritet ta mbajë në organikë, për të zbatuar një plan rritjeje gradual dhe për të pasur pesë sulmues në dispozicion.