
Inxhinierët e RMV-së: Orëmatësit e rrymës, “kuti e zezë” nën kontrollin e EVN-së, shteti nuk ka qasje
Inxhinierët e Maqedonisë së Veriut paralajmërojnë se askush në shtet nuk kontrollon konfigurimet softuerike të orëmatësve të energjisë elektrike të instaluar nga EVN, çka mundëson potencialisht vendosjen e shumëzuesve të gabuar apo tarifave më të larta pa dijeninë e qytetarëve. I vetmi organ inspektues është vetë EVN, ndërsa institucionet shtetërore nuk mbajnë të dhëna për modelet apo ankesat. Ministrja e Energjisë kishte premtuar reforma dhe funksionalizim të pajisjeve shtetërore për kontroll, por pas katër muajsh ato ende nuk janë në funksion. Inxhinierët kërkojnë mbikëqyrje të pavarur dhe transparencë urgjente në sektorin e matjes së energjisë, transmeton Portalb.mk.
“Nga përshkrimet teknike të orëmatësve Iskrameco MT174 dhe Iskrameco ME382, të cilët më shpesh instalohen, konfigurohen dhe verifikohen nga EVN, mund të lexohet se ata kanë aftësinë të përshtaten me softuer për të matur më shumë energji elektrike të konsumuar sesa konsumohet në të vërtetë. I vetmi organ në shtet që kryen ndonjë kontroll të orëmatësve është organi inspektues i operatorit austriak EVN, i cili është i akredituar nga Instituti i Akreditimit me certifikatën IT-068. Zona e inspektimit e përcaktuar nga akreditimi i këtij organi inspektues i referohet vetëm verifikimit fizik dhe teknik të matësve. Askush në shtet nuk i kontrollon cilësimet e softuerit, thonë Inxhinierët e Maqedonisë së Veriut në një reagim për mediat.
a është vendosur saktë shumëzuesi ose shumëzon konsumin ×1.1 ose ×1.2,
a janë të sakta zonat tarifore ose a aplikohen ndryshime në tarifa më të larta pa dijeninë e qytetarit,
a është konfiguruar pajisja si trefazore për një përdorues me një fazë.
As Byroja e Metrologjisë nuk e bën këtë, as Instituti i Akreditimit. Kështu, konfigurimi i orëmatësve që matin konsumin e energjisë elektrike ka ekzistuar prej kohësh si një “kuti e zezë” nën kontrollin e plotë të operatorit austriak EVN”, thuhet në reagimin e Inxhinierëve.
Sipas Inxhinierëve, edhe pse cilësimet e këtyre parametrave ndikojnë drejtpërdrejt në faturat mujore të energjisë elektrike, qytetarët nuk kanë mundësi t’i kontrollojnë ato në mënyrë të pavarur.
“Si qytetarë, ne mund të shprehim vetëm dyshime se po paguajmë më shumë sesa kemi shpenzuar, mund të kërkojmë një kontroll të matësve, por kontrolli sigurisht që nuk do të kryhet nga një autoritet shtetëror ose organ i pavarur, por nga organi inspektues i EVN-së. Por edhe atje, konfigurimet e softuerit nuk do të kontrollohen, megjithëse në fund do të na ngarkohet një shumë e përshtatshme për të. Kjo përfaqëson një boshllëk serioz sistemik në sektorin e energjisë”, thuhet në reagim.
Të nxitur nga deklarata e ministres së Energjisë, e cila më 23 shkurt 2025, gjatë një vizite në Byronë e Metrologjisë, deklaroi se “epoka e orëmatësve të pasaktë dhe faturave të larta po mbaron” dhe njoftoi se pajisjet e verifikimit të laboratorit shtetëror do të viheshin në funksion menjëherë, Inxinierët i paraqitën kërkesë për informacion publik Byrosë së Metrologjisë, për të parë rezultatet e kontrollit të kryer nga laboratori shtetëror. Përgjigja që morën zbuloi se katër muaj pas deklaratës së ministres, pajisjet ende nuk janë aktivizuar, dhe hapi i parë konkret institucional – njoftimi i prokurimit publik për instalimin dhe trajnimin e sistemit ZERA MT310-5 – ndodhi vetëm më 12 qershor – disa ditë pasi Byroja mori kërkesën tonë për informacion publik.
“Përveç kësaj, nga përgjigja, mësuam se qytetarët nuk kanë mundësi të kontrollojnë drejtpërdrejt orëmatësit, as të kenë qasje në informacion mbi cilësimet teknike, ndërsa institucionet shtetërore nuk mbajnë të dhëna të modeleve, as statistika mbi ankesat e mundshme. Kjo tregoi qartë se institucionet reagojnë vetëm nën presionin e publikut, dhe jo me iniciativën e tyre.
Prandaj, ne i paraqitëm një kërkesë EVN-së me pyetje që lidhen me aftësitë teknike të këtyre orëmatësve:
A është teknikisht e mundur të vendoset shumëzuesi i gabuar,
A është teknikisht e mundur të ndryshohen tarifat nëpërmjet qasjes në distancë,
A mbahen të dhëna për ndërhyrjet dhe kush ka qasje në to.
Pyetjet nuk ishin në drejtim të faktit nëse janë bërë ndërhyrje të tilla, por nëse ndërhyrje të tilla janë teknikisht të realizueshme dhe nëse ekziston një institucion i pavarur që e monitoron këtë”, thonë Inxhinierët.
Duke pritur përgjigjen nga EVN, ata konkludojnë se është e nevojshme një reformë urgjente që do të mundësojë mbikëqyrje të pavarur, një regjistër publik të orëmatësve dhe përfshirjen e institucioneve shtetërore në verifikimin e cilësimeve teknike.
“Ne kuptuam se asnjë institucion shtetëror nuk ka njohuri për konfigurimet e matësve, dhe EVN austriake instalon, menaxhon dhe verifikon në mënyrë të pavarur pajisjet që matin konsumin e energjisë elektrike të qytetarëve”, thuhet në fund të reagimit.
Kujtojmë se Shoqata e inxhinierëve të Republikës së Maqedonisë në mars të këtij viti, ka dorëzuar peticion në Komisionin Rregullator për Energjetikë me kërkesë për ndryshimin e rregullave për furnizim me energji elektrike. Shoqata kërkon në peticion ndryshimin e rregullave për furnizimin me energji elektrike dhe futjen e leximeve mujore të njehsorëve, siç parashikohet për kategoritë e tjera të kyçjeve në sistemin tarifor të shpërndarjes.
Nga fundi i vitit 2024 dhe në fillim të vitit 2025, mijëra qytetarë në Maqedoninë e Veriut janë përballur me fatura marramendëse për energjinë elektrike, shpeshherë shumëfish më të larta se zakonisht. Shumë prej tyre raportuan se faturat janë bazuar në vlera të parashikuara për shkak të mosleximit të rregullt të matësve nga EVN. Megjithëse janë dorëzuar mijëra ankesa për korrigjime, vetëm një pjesë e vogël është pranuar. Institucionet si KRrE dhe Avokati i Popullit janë përfshirë në trajtimin e rasteve, por ndërkohë, qytetarët vazhdojnë të ndihen të pambrojtur, ndërsa laboratori shtetëror për kontrollin e matësve ende nuk është funksional.
Për periudhën për muajt dhjetor 2024 dhe janar 2025 në “EVN Home” janë dorëzuar gjithsej 15.000 kërkesa për korrigjim të leximeve të orëmatësve për matjen e sasisë së shfrytëzuar të energjisë elektrike.
Por, siç thanë nga kompania, vetëm 2.200 ose 15% e kërkesave për korrigjim janë pranuar dhe për ato është bërë korrigjimi i faturave. Nga atje thonë se numri i ankesave është 20 përqind më i ulët krahasuar me muajin dhjetor të vitit 2023 dhe muajin janari të vitit 2024.