Inzagi: Nuk pati ndeshje ndaj Atalantës, treguam se jemi ekip i madh
Interi është finalisti i parë i Superkupës së Italisë 2025, pasi mposhti Atalantën 2-0 në gjysmëfinale. Në Riad, zikaltërit e Simone Inzaghit kapitalizuan më së miri dopietën e Dumfries dhe tani presin fituesin e gjysmëfinales tjetër mes Juventusit e Milanit.
“Ishim të shkëlqyer dhe nuk pati fare ndeshje kundër një kundërshtari me vlera absolute. Interi i përballoi të dyja pjesët me qasje prej një skuadre të madhe. E siguruam finalen me lojë të përqendruar dhe teknike. Krijuam shumë kundër Atalantës, si kurrë më parë. Portieri Carnesecchi bëri shumë ndërhyrje vendimtare, që na penguan të shënonim golin e tretë.
Duhej ta mbyllnim ndeshjen më herët, por pas një performance të tillë është e vështirë t’iu bësh vërejtje djemve,” komentoi trajneri i Interit.
“Jam shumë i kënaqur, sepse nuk është kurrë e lehtë me udhëtime dhe ndeshje kaq të shumta të arrish të japësh gjithçka, me vendosmëri dhe agresivitet. Bëmë më mirë se çdo pritshmëri më optimiste,” vazhdoi Inzagi.
Interi shfrytëzoi sërish golat nga lojtarët më difensivë. Këtë herë, kundër Atalantës ishte radha e Damfries.
“Kjo është mënyra jonë e lojës, ku mbrojtësit japin pasime dhe vazhdojnë aksionin. Megjithatë, Damfriesi nuk është risi në zonën e golave. Ai është i aftë si me ne, ashtu edhe me Holandën. E gjithë skuadra ishte e shkëlqyer, sepse të krijosh kaq shumë kundër Atalantës nuk është kurrë e lehtë”, theksoi Inzagi.
Nga ana tjetër, Lautaro Martinez ende po has vështirësi për ta tundur rrjetën kundërshtare.
“Në disa raste, ai u përball me pritje të shkëlqyera nga Karneseki. Ne varemi shumë nga sulmuesit tanë dhe puna e tyre. Ata janë jashtëzakonisht të rëndësishëm për lojën tonë, pavarësisht nga golat, të cilët janë të rëndësishëm, por më pak sesa rezultati përfundimtar,” tha mes tjerash Simone Inzagi.