Ish-kandidati i VV-së për asamble e quan “veteran të Serbisë” invalidin e luftës së UÇK-së, i cili përfundoi mbrëmë me qepje në kokë
Personi kontrovers i njohur për publikun e Kosovës, i cili jeton në Perëndim, si dhe ish-kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Asamblenë Komunale, Hamdi Shartari, ka vazhduar me deklarata fyese ndaj njerëzve të luftës.

Shartari ka komentuar nën lajmin ku raportohet për lëndimin e veteranit dhe invalidit të UÇK-së, Ali Mejzinolli, gjatë protestës së 5 tetorit, duke e quajtur atë “veteran të Serbisë”.

Invalidi i luftës, Ali Mejzinolli, ka përfunduar në Emergjencë natën e 5 tetorit, si pasojë e dhunës policore të ushtruar ndaj tij gjatë protestës për votimin e Projektligjit për Gjykatën Speciale.
Në një postim në profilin e tij, Mejzinolli ka thënë se dhuna ndaj tij është ushtruar pa asnjë veprim agresiv paraprak nga ana e tij kundrejt policëve.
“Isha mbrëmë për të protestuar në mënyrë të qetë. Pa e thënë as edhe një fjalë të keqe kundër policëve, as edhe të tjerëve. Kur në një moment filloi gjuajtja e gazit lotsjellës, e pastaj edhe dhuna fizike, ku pësuan shumë veteranë, invalidë dhe familjarë të dëshmorëve. Në mesin e tyre isha edhe unë i lënduar, i çarë në kokë. Jam i qepur me tetë penjë në Emergjencë”, ka rrëfyer Mejzinolli.
Ai ka qenë edhe komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përveç Mejzinollit, të hënën në Emergjencë kanë përfunduar edhe dhjetëra protestues të tjerë.