ISHP: Në Maqedoni 13.7 përqind e fëmijëve janë obezë
Gjetjet nga studimi i Iniciativës Evropiane për Mbikëqyrjen e Obezitetit të Fëmijëve (COSI) tregojnë sfida serioze që lidhen me ushqyerjen dhe peshën trupore tek fëmijët e moshës 6 deri në 9 vjeç në Maqedoninë e Veriut, informoi sot Instituti i Shëndetit Publik në Ditën Botërore të Obezitetit.
Nga Instituti theksuan se 31,2 për qind e fëmijëve kanë mbipeshë, ndërsa 13,7 për qind e tyre jetojnë me obezitet – që është mbi mesataren për rajonin evropian, përkatësisht 25 për qind dhe 11 për qind.
“Mbipesha dhe obeziteti janë më të zakonshme tek djemtë sesa tek vajzat. Vetëm 25 për qind e fëmijëve hanë fruta të freskëta çdo ditë – që, gjithashtu, ky është konsumi më i ulët ditor i frutave në të gjithë Evropën. Grisini të kripura konsumojnë 40 për qind e fëmijëve – më e larta midis vendeve të përfshira në studimin COSI në rajonin evropian. Më shumë se gjysma, ose 51 për qind, e fëmijëve konsumojnë rregullisht grisini të ëmbla tre ose më shumë ditë në javë, kumtuan nga ISHP-ja.
Kur bëhet fjalë për aktivitetin fizik, 40 për qind e fëmijëve kalojnë më shumë se dy orë në ditë para ekraneve – televizorit ose pajisjeve elektronike, 63,3 për qind e fëmijëve ecin ose ngasin biçikletën për në shkollë – midis atyre që jetojnë brenda dy kilometrave, ky zakon praktikohet nga deri në 89 për qind, 94 për qind e fëmijëve kanë të paktën një orë lojëra aktive me intensitet të moderuar deri në të fuqishëm çdo ditë, 48,2 për qind luajnë aktivisht sporte ose kërcejnë për më shumë se dy orë në javë. Shumica dërmuese, 88,6 për qind, flenë të paktën nëntë orë natën.
Nga ISHP-ja ndanë dhe të dhëna mbi faktorët socialë dhe perceptimet e prindërve.
“Fëmijët me peshë të shtuar trupore dhe obezitet jetojnë në familje, prindërit e të cilave kanë një nivel të ulët ose të mesëm të arsimit formal. Fëmijët të cilët praktikojnë zakone të cilat promovojnë shëndetin jetonin me prindër që kishin një nivel më të lartë arsimimi. Ka një ndërgjegjësim të ulët midis prindërve për të njohur rritjen e peshës trupore dhe obezitetin tek fëmijët e tyre. Për më shumë se gjysmën e fëmijëve të cilët jetojnë me mbipeshë dhe-ose obezitet, prindërit perceptonin se pesha trupore e fëmijëve të tyre ishte brenda kufijve të rekomanduar të “peshës normale trupore”, shtojnë nga ISHP-ja.
Sipas ISHP-së, këto rezultate nxjerrin në pah nevojën urgjente për ndërhyrje sistemike në mjediset shkollore dhe familjare të fëmijëve, me qëllim nxitjen e rritjes dhe zhvillimit të shëndetshëm të tyre.
“Ndërhyrjet janë të nevojshme edhe në fusha të tjera. Riformulimi i ushqimit, informacioni në lidhje me ushqimin, reklamat, mjedisi urban dhe mundësia për të praktikuar lëvizje të sigurt dhe aktivitet fizik janë vetëm disa prej tyre, potencuan nga Instituti.