Izet Mexhiti: Rrënimi i perandorisë kredi–kumar–zhvatje ka filluar!
Kryetari i partisë VLEN, Izet Mexhiti, ka deklaruar se lufta kundër kredive të shpejta dhe industrisë së kumarit ka nisur konkretisht me mbylljen e 40 filialeve të kompanisë “Credi Yes” dhe heqjen e licencës së saj. Mexhiti tha se kjo betejë nuk ishte slogan politik, por zotim ndaj qytetarëve dhe paralajmëroi se institucionet do të vazhdojnë të veprojnë kundër, siç u shpreh ai, “zhvatjes financiare” dhe varësisë nga kumari.
“Lufta kundër kredive të shpejta dhe industrisë së kumarit nuk ka qenë slogan elektoral, as deklaratë për tituj mediatikë. Ka qenë zotim. Ka qenë betim para qytetarëve. Dhe sot, ky zotim po shndërrohet në veprim.
Dhe ketë luftë do mundohen ta pengojnë disa grupe të fuqishme interesi. Nga nëntoka, nga krimi i organizuar dhe nga ata që pasurohen mbi borxhin, dëshpërimin dhe hallin e familjeve. Por ta kenë të qartë, kjo luftë nuk ndalet! Dhe nga ky premtim nuk tërhiqemi asnjë hap!
Vendimi për heqjen e licencës së “Credi Yes” dhe mbylljen e 40 filialeve të saj është sinjal i qartë se koha e paprekshmërisë po merr fund. Është dëshmi se institucionet më në fund po veprojnë kundër një sistemi që për vite të tëra ka rënduar jetën e qytetarëve dhe ka goditur mijëra familje.
Të dashur qytetarë,
Zullumit po i vjen fundi. Sepse institucionet po veprojnë. Sepse shteti po iu përgjigjet atyre që kanë menduar se mund të sundojnë mbi hallin e njerëzve.
Ashtu siç jemi zotuar, unë dhe VLEN do të vazhdojmë të qëndrojmë në mbrojtje të qytetarëve. Kundër çdo forme të zhvatjes financiare. Kundër varësisë nga kumari. Kundër çdo skeme që i fut njerëzit në borxhe, pasiguri dhe dëshpërim.
Ky është angazhim i palëkundur. Është betejë për drejtësi. Dhe kjo betejë do të shkojë deri në fund”, ka shkruar Mexhiti.