
Ja kur pritet të arrijë mendimi i Komisionit të Venecias për propozim-ligjin për përfaqësim të drejtë
AA
Deri në fund të vitit pritet që Komisioni i Venecias të dorëzojë mendimin lidhur me propozim-Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, për të cilin qeveria ka dërguar kërkesë më 11 korrik të këtij viti, shkruan Alsat.
Ndërsa më pas, hapet rruga për nisjen e procedurave për ta miratuar në Kuvend. Zëvendëskryeministri Arben Fetai, njoftoi se me ftesë të Qeverisë, këto ditë në Shkup po qëndron një ekip Komisionit të Venecias, ndërsa gjatë ditës së sotme një ekip qeveritar ka realizuar bashkëbisedim duke trajtuar pyetjet dhe çështjet që kanë të bëjnë me ligjin.
“Në bazë të këtyre intervistave ata do të përpilojnë mendimin e tyre të cilin e presim në fillim të dhjetorit”, tha Arben Fetai, zëvendëskryeministër.
Fetai sqaroi se Venecias i kanë dërguar 4 pyetje lidhur me zgjidhjen ligjore që do të zëvendësojë Balancuesin, apo instrumentin e shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese që garantonte përfaqësimin e drejtë të komuniteteve gjatë punësimeve në administratë.
“E para është, a e avancon ky projekt-ligj parimin kushtetues të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, duke marrë parasysh edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e Balancuesit? E dyta, a e promovon projekt-ligji barazinë, nëpërmjet veprimit pozitiv dhe duke eliminuar barrierat e punësimit? E treta, a është projekt ligji në përputhje me parimet e tjera kushtetuese si liritë dhe të drejtat themelore, shprehjen e lirë të përkatësisë kombëtare, sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e privatësisë të të gjithë qytetarëve? Dhe pyetja e fundit, a është mekanizmi i Trupit Koordinues të Qeverisë për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, mekanizëm mjaftueshëm efikas për të siguruar respektimin, afirmimin, përmirësimin, avancimin dhe monitorimin e parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat”, u shpreh Arben Fetai, zëvendëskryeministër.
Alsat në qershor të këtij viti, shpalosi ekskluzivisht detaje nga draft-ligji të cilin e kishin përgatitur ekspertë dhe përfaqësues të Qeverisë. Fryma e ligjit bazohet në amendamentin VI të Kushtetutës dhe i obligon institucionet që të kujdesen për respektimin e përfaqësimit të komuniteteve nëpër institucione, megjithatë duke pasur kujdes diskriminimin e qytetarëve dhe duke mbajtur llogari për përgatitjen profesionale, kompetencën, integritetin, transparencën dhe gjithpërfshirjen.
Profesori i të drejtës kushtetuese, Jeton Sashivari, i cili ka qenë pjesë e grupit punues që ka hartuar Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat për Alsat ka shpjeguar se një ligj i këtillë është dashur të miratohet që në vitin 2003, ndërsa për dallim prej Balancuesit, me këtë ligj avancohet zbatimi i përfaqësimit.
Opozita shqiptare, ka kundërshtuar zgjidhen ligjore, pasi sipas tyre ligji përbën regres në respektimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, ndërsa kërkon që të parashikohen dhe mekanizma dhe kompetenca shtesë me qëllim të realizimit të përfaqësimit etnik. Nga shumica parlamentare theksojnë se janë të gatshëm të pranojnë çdo propozim të arsyeshëm që e përmirëson ligjin./ Alsat.mk