Jasir Asani pranë kalimit në kampionatin ku luan Kristiano Ronaldo
Gola e shënuar në eliminatoret me Shqipërinë kanë tërhequr vëmendjen e shumë klubeve për Jasir Asanin. Së fundit mediat në Shqipëri bëjnë me dije se Jasir Asani ka rënë dakord për të kaluar në Arabinë Saudite. Për Asanin ka pasur interes nga disa klube, Selta Vigo një prej tyre, teksa edhe nga Franca ka pasur bisedime.
Por, autori i tre “perlave”, ndaj Moldavisë, Polonisë dhe Çekisë është pranë firmës në Superligën e Arabisë Saudite, kampionat ky, që së fundmi kanë shkuar shumë lojtarë të nivelit të lartë, duke nisur nga kalimi i bujshëm i Kristiano Ronaldos. Megjithatë, ende nuk është bërë i ditur emri i ekipit që Asani do të vijojë karrierën, por në Korenë e Jugut është e sigurt që nuk do të kthehet.
Sulmuesi anësor është nën kontratë me Guangjunë edhe për një vit, me kampionatin vendës që aktualisht nuk ka nisur ende, por klubi patjetër që do të përfitojë një shumë nga shitja e tij, shifër kjo që për klubet arabe është e papërfillshme. Aktualisht liga arabe është në pauzën e saj dhe rikthehet më 15 shkurt dhe me shumë mundësi, Jasiri do të ketë firmosur me një ekip në këtë kampionat.
Synimi është që Asani të jetë në gjendje të mirë fizike dhe me minuta në këmbët e tij kur të afrohet Europiani, që do ta gjejë Shqipërinë në muajin qershor, me tri sfidat kundër Italisë, Kroacisë dhe Spanjës. /Panoramasport/