
Jeton Beqiri: Jam i brengosur se arbitrimi në Shkup ishte tendencioz
Skuadra e Shkëndijës shënoi fitore të madhe në derbi e zhvilluar në Shkup, duke mundur Vardarin me 2-1, në kuadër të javës së 19-të të Ligës së Parë Futbollistike të Maqedonisë. Ibraimi dhe Tamba shënuan për Shkëndijën, derisa Zakariq, nga penalltia, barazoi përkohësisht rezultatit, por në tentimin e dytë nga pika e bardhë.
Trajneri i “kuqezinjëve”, Jeton Beqiri, ka lavdëruar ekipin tetovar për karrakterin e treguar dhe fitoren e arritur ndaj Vardarit, mirëpo ka porositur skuadrën se loja detyrimisht kërkon përmirësim. Trajneri Beqiri përcolli brengën e tij edhe për arbitrimin tendencioz.
“Jam shumë i brengosur dhe dua të bëj një apel deri te organet kompetente të delegimit të arbitrave dhe kontrollorët, të jenë më syçelë në këto situata, për shkak se bisedohet për investime shumë të mëdha, bisedohet për një ndeshje derbi dhe unë gjatë gjithë ndeshjes isha shumë në siklet me referimin. Ndjeja se nuk ishte i barabartë, kishte tendenca, kam shumë dyshime edhe te përsëritja e penaltisë. Fryma e arbitrit gjatë ndeshjes nuk më pëlqeu. Të jem i sinqertë unë këtë brengë e barti edhe nga ndeshjet e vjeshtës dhe nuk dua kurrë të gjej alibi te arbitrat. Sikur sot mos të kishim fituar, nuk do flisja për referimin, por është me rëndësi ta dijnë të gjithë se Shkëndija është klub i madh, është projekt serioz, kemi pronar dhe nuk mund të vjen një arbitër apo një grup arbitrash dhe të çojnë huq gjithë punën dhe mundin që jepet,” tha mes tjerash trajneri Beqiri.
Foto: KF Shkëndija (facebook)