Jurgen Klop në listën e dëshirave të Bajernit, por agjenti i trajnerit mendon ndryshe
Jurgen Klop lajmëroi para disa kohësh se në përfundimin e këtij sezoni do të mbyllë aventurën nëntëvjeçare me Liverpullin. Tekniku gjerman theksoi se ndjehej i lodhur dhe se i duhej të paktën një vit pushim nga profesioni i tij.
Megjithatë, së fundmi emri i Klopit është lidhur me një bashkëpunim me Bajern Munihun. Bavarezët njoftuan se do të ndahen nga Tushel në fundin e këtij sezoni, ndërsa Klop duket një alternativë me shumë vlera për rekordmenët gjermanë.
Mirëpo, është vetë agjenti i Klopit, Mark Kosicke, i cili theksoi edhe njëherë se i përfaqësuari i tij do të qëndrojë pushim, pas eksperiencës me Liverpullin.
“Klop nuk do të drejtojë asnjë klub apo kombëtare për një vit. Ai do të mbyllë eksperiencën te Liverpulli dhe do të qëndroj në pushim. Klop e theksoi vetë këtë dhe nuk ka ndryshuar mendim”, u shpreh Kosicke.