
Jyrgen Klop reflekton mbi dy gabime të mëdha në merkato, Son Heung-min dhe De Bryjne
Jyrgen Klop, trajneri i Liverpullit nga viti 2015 deri më 2024, ka reflektuar mbi dy gabime në merkato, që e kanë penalizuar gjatë periudhave të tij te “The Reds” dhe Borussia Dortmund. Tekniku gjerman pranoi se kishte mundësinë të transferonte Son Heung-min te Liverpulli dhe Kevin De Brujne te Borusia Dortmundi, por nuk e bëri.
“Mund ta kisha transferuar Son Heung-min nga Tottenhami. Në atë kohë, ai ishte te Hamburgu… As që e mbaj mend pse nuk u mbyll ky transferim dhe vetëm kur u përballa me të në Premier Ligë. Mendova: O Zot, je budalla që nuk e more. Ishte çmenduri”, pranoi Klopp gjatë një eventi në Kejp Taun, Afrikën e Jugut.
Gazeta “The Mirror” citon gjithashtu momentin kur Klopp pranon se kishte mundësinë të transferonte Kevin De Brujnen kur drejtonte Borusia Dortmundin.
“Kevin De Brujne ishte kaq afër nesh (duke bërë gjest me dy gishta), pastaj na shkatërroi në finalen e Kupës me Volfsburgun”.
Klopp, tani drejtor global i futbollit te “Red Bull”, pranoi se kishte lënë t’i shpëtonte edhe Sadio Mane kur ishte te Borussia Dortmundi, por më pas e korrigjoi gabimin duke e transferuar te Liverpulli më 2016.
Në fund, Klopp reflektoi mbi gabimet.
“Nuk besoj se ka shumë kuptim të pendohesh për gjërat. Në atë moment, ndoshta bëra atë që mendova se ishte më e mira, kështu që pranoj gjithçka dhe ec përpara”.