Kafja më e fortë në botë: Shitet me paralajmërim dhe të jep “ndjesinë e pathyeshmërisë”
Kompania “Biohazard Coffee”, me bazë në Nju-Jork, pretendon se ka bërë kafen më të fortë në botë
Më saktësisht, ata bënë një kafe që ka 928 mg kafeinë për filxhan 350 ml, që është dyfishi i dozës së rekomanduar të kafeinës për një të rritur, por edhe shumë më tepër se shumica e pijeve energjike në tregun botëror.
Rekomandimi i ekspertëve mjekësorë është që të rriturit lejohen të pinë deri në 400 mg kafeinë në ditë, e cila, në varësi të llojit të kafesë që pini, mund të jetë diku nga dy deri në dhjetë filxhanë kafeje.
Një filxhan ekspres ka një përqindje më të lartë të kafeinës se kafeja e zakonshme, por në përgjithësi shërbehet në pjesë të vogla. Për krahasim, një filxhan ekspres 30 deri në 50 ml përmban rreth 30 deri në 60 mg kafeinë, transmeton Telegrafi.
Në paketimin e kafesë Biohazard, ka një paralajmërim se ka katër herë më shumë kafeinë se sa shërbejnë baristat në kafenetë e Nju Jorkut.
Ajo bazohet në një lloj kafeje të quajtur Robusta, e cila zakonisht ka një përqindje më të lartë të kafeinës dhe karakterizohet nga një shije pikante dheu.
Kompania shton se konsumimi i kësaj kafeje mund të rezultojë në produktivitet të tepruar, net pa gjumë dhe një ndjenjë të herëpashershme të pathyeshmërisë.
“Do t’ju zgjojë nga gjumi më i thellë dhe do t’ju shoqërojë në takimet më të vështira”. Është gjithashtu e shkëlqyeshme për ligjëratat universitare në mëngjes ose për të studiuar gjatë gjithë natës”, thotë kompania Biohazard Coffee.
Dhe sa kushton kjo kafe e supozuar si më e forta në botë?
Një paketë 454 gramësh kafe e bluar Biohazard u shit në Amazon për 19,99 dollarë, ose pak më shumë se 18 euro. Mirëpo, për shkak të interesit të madh, është i shitur dhe aktualisht nuk është në dispozicion për porosi. /Telegrafi/