
Kaltrina Beqiri: Pas 20 vitesh e harruat Tetovën – qytetarët nuk mashtrohen më!
AA
Deputetja e koalicionit VLEN, Kaltrina Beqiri, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të partive që për vite të tëra kanë qenë në pushtet në nivel lokal dhe qendror, duke akuzuar ato për manipulime dhe përdorim të Tetovës vetëm për qëllime politike ditore.
“20 vite e harruat Tetovën dhe tetovarët. Sot, pas dy dekadash në pushtet, ju kujtua për Tetovën – por fatkeqësisht, edhe kësaj radhe vetëm për politikë ditore”, deklaroi Beqiri.
Ajo kritikoi mungesën e projekteve konkrete gjatë kohës së qeverisjes së kaluar, duke theksuar se as stadiumi i qytetit nuk ka qenë ndonjëherë në agjendën e tyre.
“Për Tetovën jeni interesuar vetëm kur ju është dashur vota. Sot po përpiqeni të derdhni ‘lot krokodili’, por tetovarët nuk mashtrohen më”, theksoi ajo.
Deputetja e VLEN vlerësoi se puna në qytet tashmë është evidente dhe projekte të mëdha janë në realizim, nën drejtimin e kryetarit aktual, Bilall Kasami.
“Në Tetovë punohet. Tetova po ndryshon. Stadiumi i qytetit është në fazë realizimi – dhe pikërisht Komuna e Tetovës po e realizon atë. Jo ju. Jo përpjekjet tuaja për politikë ditore”, tha ajo.
Beqiri gjithashtu përmendi projektin madhor të teleferikut, me një vlerë rreth 30 milionë euro, për të cilin, sipas saj, kundërshtarët politikë “as që e dinë për çfarë flasin”.
“Mjaft me manipulime! Qytetarët e Tetovës e dinë shumë mirë si ka qenë qyteti kur ju ishit në pushtet, dhe si është sot me Bilall Kasamin në krye të Komunës”, përfundoi ajo.