“Kam sakrifikuar shumë për Formula 1, por nuk kam asnjë keqardhje”
Piloti spanjoll Fernando Alonso është veterani i Formula 1. Me dy tituj kampionë bote për pilotë të fituar, ai është një nga pilotët më karizmatikë në këtë sport. Piloti i Aston Martin tregoi se është ende një rival i fortë, siç e konfirmojnë podiumet e arritura vjet. Ai ka pranuar se gjithë këto rezultate e kjo punë e gjatë ka kërkuar sakrifica.
“Sigurisht që në këtë sport bëhen sakrifica. Ndonjëherë jemi edhe të vetëdijshëm për momentet kur i bëjmë ato sakrifica. Në disa raste i kuptojmë ato shumë vonë. Shpesh më mungojnë miqtë e familarët e mi”, tha Alonso.
“Jam një person që bëj shumë për familjen, më pëlqen të kaloj kohë me ta. Në këtë periudhë të jetës time kisha menduar se do të kisha fëmijë dhe gjithë këto gjërat. Por e shoh vetën 42 vjeç, ende pa fëmijë. Por, nga ana tjetër, jam duke bërë atë që dua më shumë”, shtoi piloti spanjolll.
“Nuk kam provuar kurrë të bëj gjëra që nuk kanë lidhje me motorsportin. Ndaj, kur shoh veten në pasqyrë çdo mëngjes, jam i lumtur për atë që jam duke bërë. Kam sakrifikuar shumë për Formula 1, por nuk kam asnjë keqardhje”, u shpreh në fund Fernando Alonso.