Kamarieri zbulon divorcin: Ishin në restorant të Barcelonës, ishin të tensionuar
Dalëngadalë po zbulohen detaje të reja rreth fundit të martesës mes Pep Guardiola dhe Kristina Serra, pas më shumë se 30 vitesh lidhje dhe tre fëmijëve të sjellë në jetë. Këtë javë, gazetarët Laura Fa dhe Lorena Vázquez zbuluan në podkastin e tyre “Mamarazzis” se çifti kishte filluar të jetonte i ndarë që nga viti 2019 dhe se gjithçka mori fund në fund të vitit 2024, kur trajneri i Manchester City njoftoi rinovimin e kontratës për dy sezone të tjera, deri më 2027.
Ky vendim duket se ishte faktori kryesor që çoi drejt prishjes përfundimtare të një marrëdhënieje që me kalimin e kohës kishte filluar të dobësohej. Serra vendosi të kthehej në Barcelonë për të menaxhuar nga afër markën e saj të modës luksoze “Serra Claret”, e cila ka qenë biznesi kryesor i saj ndër vite, Gruaja ka qenë një shtyllë e fortë bështetjeje për Pep-in.
Sipas gazetës britanike “The Sun”, Guardiola udhëtoi për në Barcelonë në tetor për të diskutuar me Cristina Serra rreth çështjes së rinovimit, përpara se të merrte vendimin përfundimtar. Takimi mes tyre ndodhi në restorantin “Bodega Sepúlveda”, vendi i preferuar i Guardiolës në kryeqytetin katalanas. Ajo që tërhoqi vëmendjen e mediave ishte se disa dëshmitarë të pranishëm në atë moment vunë re se “çifti dukej i tensionuar”.
Një kamarier i restorantit konfirmoi për mediat britanike takimin mes çiftit: “Ata u ulën në një kënd dhe dukeshin paksa të tensionuar. Po flisnin me një ton të ngritur”. Kamarieri shtoi se stafi i restorantit mbeti i tronditur kur disa muaj më vonë u bë publik lajmi për divorcin.
Pas këtij takimi me Serra, trajneri katalanas u kthye në Manchester dhe firmosi rinovimin e kontratës, e cila, nëse përmbushet, do t’i mundësojë atij të kompletojë një dekadë në stolin e Manchester City.
Sipas Fa dhe Vázquez, arsyeja përfundimtare e divorcit ishte fakti se familja e Guardiolës mendonte se qëndrimi në Angli po i afrohej fundit dhe kishin filluar të planifikonin një jetë të re në Emiratet e Bashkuara Arabe. Megjithatë, duket se Pep kishte plane të tjera.