“Kamera dhe ekspertë”, Celibashi tregon si do monitorohet procesi i votës së diasporës
Nga Kryesia e Kuvendit, kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi deklaroi se deri më tani, procesi i përgatitjes për votën e diasporës ka shkuar mirë. Megjithatë, parashtroi mënyrën si është parashikuar të mbahet ky proces i parë i votimit nga jashtë. Së pari, theksoi se programi zgjedhor është i dedikuar dhe është ndërtuar me asistencën e ekspertëve ndërkombëtarë.
“Çështja kryesore për ne është ajo e informimit dhe edukimit të votuesve nga jashtë, me të gjitha aspektet. Natyrisht është sfidë, por me siguri do ia dalim.”
Së dyti, u ndal tek monitorimi i procesit.
“Besimi që duhet të reflektojmë tek të gjitha palët është çështje mjaft sensitive sepse mund të hedhë në erë të gjithë procesin. Dështimin nuk e konsideroj, por në rast se ka problematikë afekton gjithë procesin zgjedhor në Shqipëri. Ta bëjmë procesin të sigurt dhe të parë të tillë nga të gjitha palët! Po punojmë ngushtë me partitë politike, përfshirë edhe PD-në. Aktet deri tani kanë kaluar pa kontestim, partitë kanë akses që nga hapi 1 e deri në përfundim të procesit të regjistrimit të votuesve. Monitorohet nga partitë, ato kanë të drejtë të caktojnë vëzhgues, kanë të drejtë për dy auditues teknikë që në sekondën e parë kur nis procesi. Të ngarkojnë ekspertë të çdo lloj natyre, e po kështu qëndron qasja edhe për administrimin e fletëve të votimit. Është i monituar me kamera, do jenë në transmetim në kohë reale. Edhe procesi i dokumentacionit zgjedhor.”
Celibashi zbuloi edhe propozimin e tij që ka të bëjë me tavolinën ku do numërohen votat.
“Numërimi e vlerësimi i fletëve është në prani të partive politike, krahas dy punonjësve të KQZ-së në tavolinë, në draftin që i kam paraqitur Komisionit Rregullator, kam parashikuar që dy partitë të kenë një njeri që qëndron ulur aty, me status prezence. PS dhe PD, kamera në çdo tavolinë.”
Së fundmi, tha se ka pasur diskutime me qeverinë shqiptare lidhur me tarifën e shërbimit postar. Është sugjeruar që kostoja e dërgesës së fletës së votimit në vend të paguhet nga shteti.
“Në buxhetin 2025, i është vënë në dispozicion KQZ-së buxhet për të paguar tarifën e shërbimit postar”, tha Celibashi.