Kampionët e çiklizmit do të vijnë në Shqipëri në vitin 2025
Edicioni i radhës së Xhiros së Italisë (2025), një nga 3 turnetë më të rëndësishëm në botë në sportin e çiklizmit, do të nisë nga Shqipëria. Në Shqipëri do të zhvillohen 3 etapa para se turneu të spostohet në Pulia.
Këtë e ka bërë të ditur drejtori i garave të Xhiros së Italisë, Mauro Vegni. Gjithsesi, gjithçka do të bëhet zyrtare më 12 nëntor, kur dhe të bëhet prezantimi i turneut, që do të ketë finishin e tij në Romë.
“Ne do të fillojmë edicionin e ri me tre etapa në Shqipëri, përpara se të kthehemi në Pulia të Italisë, e cila do të jetë pika më jugore e prekur nga Xhiro”, shpjegoi Vegni në një intervistë për portalin “BiciSport”.
Edicioni i radhës do të nisë më 10 maj. Kështu, pas tri vitesh, sërish turneu italian i biçikletës nis jashtë kufijve të tij, që nga koha kur niste në Hungari, në vitin 2022. Për Shqipërinë ky është një lajm i madh, pasi në Shqipëri do të garojnë kampionët e çiklizmit.