
Kandahari nuk është edhe aq keq, z. Ahmeti!
Kandahari i Afganistanit ditëve të fundit u përfol edhe në opinionin vendas. Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti krahasoi këtë qytet afgan me Çairin, duke dashur të tregon që Shkupi i vjetër është katandisur nga keqqeverisja. Por historiku u Kandaharit nuk është edhe aq i zbahur.
“Përballë kemi VMRO-në, por e vërteta është se ata janë shitur për pesë aspra. Nuk e di çfarë obligimesh kanë, por Çairin dhe Shkupin e Vjetër e kanë shndërruar në Kandahar. Ishin të tmerrshme pamjet që jepte ajo kryetarja e Shkupit – i kam parë vetë. Në Çair pashë mes gjelbërimit të parkut të hapeshin gropa ndërtimi, pashë mbindërtime nga dy kate shtesë në ndërtesa. Fajtor nuk janë ata që ndërtojnë, por politika që e lejon këtë. Në një zonë sizmike si Shkupi, lejet e ndërtimit janë garanci vetëm për katet e miratuara, jo për ato shtesë. Rreth 150 ndërtesa në Çair kanë probleme të tilla, duke vënë në rrezik qytetarët që kanë investuar shuma të mëdha. Njerëzit kanë dhënë 50, 70, madje edhe 80 mijë euro. Është gjynah, por këtyre nuk u intereson t’ju gjejnë zgjidhje. U intereson vetëm si t’i fshehin problemet”, tha Ahmeti në një takim me rinistët e Çairit.
Kandahari është një qytet në Afganistanin jugor dhe kryeqendra e provincës me të njëjtin emër. Sipas vlerësimeve të vitit 2006, qyteti kishte rreth 468.200 banorë. Ai ndodhet në kryqëzimin e rrugëve kryesore që lidhin Kabulin, Heratin dhe qytetin pakistanez Quetta, duke qenë kështu qendra më e rëndësishme tregtare e Afganistanit Jugor.
Qyteti u themelua në shekullin IV p.e.s. nga Aleksandri i Madh. Emri i tij i vjetër mund të ketë qenë Aleksandria, megjithëse një teori tjetër e lidh me mbretërinë antike të Gandharës. Në periudha të ndryshme është sunduar nga arabët, iranianët, turqit dhe mongolët, por për shumicën e historisë së tij, popullsia dhe ndikimi kryesor kanë qenë të paştunëve.
Kandahari u shkatërrua plotësisht gjatë pushtimit të Xhingis Khanit dhe më pas përsëri nga sulmet e sundimtarit turko-mongol Timur Lenk. Më vonë, ai u bë pjesë e Perandorisë së Mughalëve të Mëdhenj. Në vitin 1747, themeluesi i shtetit afgan, Ahmad Shah Dorrani, e shpalli Kandaharin kryeqytetin e parë të Afganistanit, status që e mbajti deri në vitet 1780.
Gjatë viteve 1839–1881, Britania e Madhe u përpoq ta kontrollonte Kandaharin dhe rajonet përreth, duke zhvilluar dy luftëra afgane. Në vitet 1980, gjatë pushtimit sovjetik, në qytet ndodhën beteja të ashpra mes forcave afgane dhe trupave të Bashkimit Sovjetik. Në vitin 1994, Talibanët e morën qytetin pa luftë[^16] dhe, edhe pse kryeqyteti ishte në Kabul, udhëheqësi i tyre Mullah Omar e drejtoi vendin nga Kandahari deri në vitin 2001.
Qyteti ka qenë shpesh skenë dhune politike. Më 27 korrik 2011, kryebashkiaku Ghulam Haida Hamidi u vra në një sulm vetëvrasës, për të cilin përgjegjësinë e morën Talibanët. Edhe dy nënkryetarë bashkie dhe shefi i policisë së qytetit u vranë të njëjtin vit në sulme të ngjashme.
Kandahari modern ndodhet në perëndim të qytetit të vjetër, të rindërtuar nga Ahmad Shah Dorrani në vitin 1747. Qyteti i vjetër ishte i rrethuar nga një mur balte drejtkëndor (1.800 x 550 metra), fragmente të të cilit ruhen ende sot. Ndër monumentet më të njohura është varri tetëkëndor i Ahmad Shah Dorranit me kupolë të madhe, pranë të cilit ndodhet Kirka Sharif (Xhamia e Mantelit të Shenjtë), ku besohet se ruhet manteli i Profetit Muhamed.
Rreth 6,5 km në perëndim të qytetit ndodhet një fortesë mbi një kreshtë shkëmbore, pranë rrënojave të një qyteti të lashtë të shkatërruar nga Nadir Shah në vitin 1738. Qyteti lidhet me tre rrugë kryesore: Kandahar–Kabul (506 km), Kandahar–Herat (560 km) dhe Kandahar–Spin Boldak (105 km), kjo e fundit e lidhur më tej me Quetta-n në Pakistan.
Afërsisht 16 km larg ndodhet Aeroporti Ndërkombëtar i Kandaharit, me përdorim civil dhe ushtarak. Zona përreth është bujqësore, me prodhime të njohura si rrush, pjepër dhe shegë, të cilat eksportohen. Kultivohen gjithashtu pambuk, qimnon, madder (bimë ngjyrëdhënëse) dhe rrëshirë aromatike. Në qytet ka industri tekstili, veçanërisht përpunim të leshit. Flaka Media