Kapiteni i Rumanisë: Pse duhet të luajmë me ta, kur Rumania nuk e njeh Kosovën
Nikolae Stançiu, kapiteni i kombëtares së Rumanisë, komentoi vendimin e UEFA-s për t’i dhënë fitore Rumanisë me rezultat 3-0 në tavolinë kundër Kosovës. Ai u shpreh i lumtur për dhënien e fitores nga UEFA, teksa nuk arriti ta mbyllë ndeshjen, pasi pësoi lëndim dhe u desh të shkonte të ekzaminohej.
“Është mirë që fituam dhe mbyllëm me pikë maksimale. Nuk kisha dyshime për vendimin. Unë nuk pashë se çfarë ndodhi, sepse shkova në spital për një kontroll pas dëmtimit. U ktheva në stadium dhe u bashkova me shokët e ekipit derisa gjyqtari fishkëlleu përfundimin e ndeshjes.
Ishte ftohtë, por nuk mund të mos ktheheshim në fushë, sepse Kosova mund të përdorte si justifikim që edhe ne nuk dolëm nga dhomat e zhveshjes. Gjatë ndeshjeve me ta, gjithmonë ka pasur tensione. Përpiqemi të ruajmë qetësinë dhe të përqendrohemi te loja”, tha fillimisht Stançiu.
Ai shkoi edhe më larg, duke kërkuar të mos luajnë më me Kosovën.
“E dimë që ka vende në Europë që nuk luajnë me njëra-tjetrën. Edhe ne kemi pyetur pse duhet të luajmë me ta, kur Rumania nuk e njeh Kosovën si shtet. Nëse ne morëm gjobë për fishkëllimat gjatë himnit të tyre, atëherë ata duhet të gjobiteshin me miliona për fishkëllimat ndaj himnit tonë kur luajtëm në Kosovë”, tha Stançiu.