
Karakaçanov: Nëse do të isha kryeministër, do t’i vendoja veto Maqedonisë aq sa do ishte Mickoski në pushtet
Ish-zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes i Bullgarisë, Krasimir Karakaçanov, në televizionin bullgar “Bulgaria ON AIR” edhe një herë u shpreh për temën e tij të preferuar – “Maqedonia”, kësaj radhe duke shprehur hapur armiqësi ndaj kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
“Duke pasur parasysh politikën që po ndjek (Qeveria e Maqedonisë – v.j.) për të njollosur dhe fyer Bullgarinë, Bullgaria duhet të veprojë shumë më radikalisht. Duhet të hyjmë në rolin tonë, sepse nuk është Bullgaria ajo që aplikon për anëtarësim, por Shkupi. Po të isha unë kryeministër bullgar, pas këtij vendimi (për Ljupço Georgievskin, kryetar i klubit të ndaluar ‘Vanço Mihajllov’ në Manastir – v.j.), do të deklaroja drejtpërdrejt se i ndërpresim negociatat dhe vendosim veto për Maqedoninë, derisa ajo të udhëhiqet nga qeveria e Hristijan Mickoskit”, deklaroi lideri i partisë jashtëparlamentare VMRO-BND.
“Autoritetet në Shkup nuk do të respektojnë asgjë, sepse shohin që shteti bullgar nuk ekziston. Ata shohin se politikanët bullgarë janë të preokupuar me atë se kush mund të vjedhë më shumë nga vetë shteti. Ata nuk i mbrojnë interesat e bullgarëve në Bullgari. E shohin shumë mirë se për temën ‘Maqedonia’, politikanët bullgarë – përfshirë edhe qeverinë e fundit – bëjnë atë që u thuhet nga diku në Bruksel ose atë që u sugjeron ndonjë funksionar – qoftë nga Brukseli apo nga ndonjë ambasadë”, u shpreh me vendosmëri Karakaçanov.