Kardinale: Nuk jemi të kënaqur me Piolin, Ibra është zëri im te klubi kuqezi
Pronari i Milanit, Gerry Kardinale ka marrë pjesë në një forum të organizuar nga “Financial Times”, ku ndër të tjera ka folur për projekin e tij me “kuqezinjtë”. Ai ka zbuluar më shumë për rolin e Ibrës më Milanello, ka komentuar planet për stadiumin e ri dhe i ka dërguar një sinjal Piolit se nuk është i kënaqur me punën e tij.
Pioli?
Nuk jemi të kënaqur. Nuk po bëjmë paraqitje të këqia, por as të mira. Kemi një skuadër me shumë futbollistë të rinj dhe presim shumë. Pastaj kemi edhe shumë dëmtime, për situata që duhen menaxhuar më mirë.
Ibrahimoviçi?
Më lejon të jem në SHBA dhe në Milano njëkohësisht. Ka autoritetin e duhur për të qenë zëri im para skuadrës, stafit dhe kujtdo tjetër në klub. Ka besimin tim maksimal.
Stadiumi i ri?
Unë e dua “San Siron” për vetë historinë që mbart, por koha kërkon një impiant modern, ndaj duhet rikonstruktuar, ose të ndërtojmë një stadium të ri. Do të sjell eksperiencën time për ndërtim stadiumi në modelin amerikan, për të ndihmuar më pas edhe klubet e tjera italiane.
E ardhmja?
Dua të rri gjatë te Milani dhe të fitoj shumë. Kam ambicie të mëdha që jo vetëm të fitoj me klubin, por të ndihmojmë Serinë A të afrohet më shumë me liga të tjera europiane.