Kardiologu me aktakuzë vendos për specialistët në Spitalin e Prizrenit, ndërsa po atë ditë s’paraqitej në Gjykatë
Një vendim i fundit për emërimin e Dr. Artan Ahmetit në krye të komisionit për pranimin e kardiologëve në Spitalin e Prizrenit ka ngritur reagime dhe pikëpyetje në opinionin profesional dhe publik.
Sipas informacioneve të siguruara, testi pranues për specialistët e kardiologjisë është mbajtur më 13 maj 2026. Në të njëjtën datë, Dr. Ahmeti kishte të caktuar edhe një seancë gjyqësore lidhur me një aktakuzë të ngritur më herët ndaj tij.
Rasti ka nxitur dilema mbi kriteret dhe procedurat e përzgjedhjes së anëtarëve të komisioneve profesionale në institucionet publike shëndetësore, veçanërisht kur bëhet fjalë për persona ndaj të cilëve janë duke u zhvilluar procese gjyqësore.
Burime nga sektori i shëndetësisë kanë ngritur shqetësimin se Klinika e Kardiologjisë në QKUK posedon staf të mjaftueshëm profesional dhe kompetent për organizimin e një procesi të tillë.
Po ashtu, është ngritur pyetja se si është bërë koordinimi i këtij angazhimi duke pasur parasysh përputhjen e datës së testimit me datën e seancës gjyqësore.
Deri më tani nuk ka pasur një sqarim zyrtar nga institucionet përgjegjëse lidhur me arsyet e emërimit të Dr. Ahmetit në këtë pozitë apo mbi procedurat që janë ndjekur për përzgjedhjen e tij.
I kontaktuar nga Indeksonline, Dr. Artan Ahmeti ka deklaruar se nuk ka qenë i informuar zyrtarisht për rastin juridik ndaj tij.
“Jo, s’kam qenë i informuar. Prej mediave kanë kallëzu prej aktakuzës…”, është shprehur ai. /Indeksonline/