
Karlo Ançeloti: E djallosëm vetë, ka kohë për Man. Sitin
Trajneri i Realit, Karlo Ançeloti ka folur për mediat përpara shortit të Champions League, duke e bërë ndoshta enkas për të shmangur diskutimet e shumta. Italiani ka preferuar të fokusohet te La Liga, teksa deri në ndeshjen kundër Sitit, për Madridin ka një mori takimesh të rëndësishme.
“Në një botë të përsosur, ne nuk do të luanim kundër Sitit, nuk do të ishim në këtë situatë. Por dështuam dhe nuk mundëm të futeshim mes tetë më të mirëve.‘Play off’-i do të jetë argëtues dhe ne kemi burimet për t’i kapërcyer”, rrëfeu italiani. Zemërimi për një kalendar të ngjeshur nuk u lë Realit mundësi tjetër dhe shumë pak hapësirë për manovrim. “Nuk ka kohë përgatitjeje, është rikuperim, video dhe ndeshje për 40 ditët e ardhshme. Detyra jonë është ta kemi ekipin gati dhe të përgatitur”, shpjegoi ai.
“Nuk duhet të mendojmë tani për Ligën e Kampioneve. Duhet të mendojmë për ndeshjet që duhet të luajmë, të cilat janë të shumta. Nga sot deri në mars… kemi 13 ndeshje, që janë shumë”.