
Karlos Alkaraz, lë pas legjenda si Nadal, Agasi dhe Borg
Karlos Alkaraz ia doli të kualifikohej për në finalen e “Roland Garros” pas një dueli madhështor në gjysmëfinale me Janik Sinerin. Spanjolli triumfoi me sete 3-2 pas më shumë se katër orë lojë, ku të dy tenistët e brezit të ri dhuruan spektakël për të pranishmit në “Philippe-Chatrier”.
Kështu, Alcaraz ia doli që të mbërrijë për herë të parë në finalen e turneut francez teksa të dielën do të përballet me Aleksander Zverevin. Kjo është finalja e tretë Grand Slam për 21-vjeçarin pas atyre të “US Open” dhe “Uimbëlldon”, duke u shndërruar kështu në tenistin e parë në histori që arrin tre finale në tre terrene të ndryshme (çimento, bar dhe në fushën me dhe) në këtë moshë. Një rekord special për Alkarazin që lë pas legjenda të tenisit si: Andre Agassi, Bjorn Borg apo Rafael Nadal.
Mosha e tenistëve me tre finale në tre terrene të ndryshme:
1-Karlos Alkaraz: 21-vjeç e 1 muaj
2-Andre Agasi: 22-vjeç e 1 muaj
3-Bjorn Borg: 22-vjeç e 2 muaj
4-Rafael Nadal: 22-vjeç e 6 muaj
5-Xhim Kurier: 22-vjeç e 10 muaj
6-Mats Villander: 23-vjeç e 9 ditë
Vlen të theksohet se në dy finalet e luajtura deri më tani në “US Open” dhe “Uimbëlldon”, Alcaraz ia ka dalë të triumfojë dhe mbetet për të parë nëse do të ruajë këtë statistikë pozitive edhe në finalen e parë për të në “Roland Garros” për të festuar më pas titullin e tretë Grand Slam.