Karlos Sainz nuk do të garojë në Arabinë Saudite, mesohet zëvëndësuesi i tij te Ferrari
Piloti spanjoll Karlos Sainz do të mungojë në garën e Arabisë Saudite. Piloti i Ferrarit ka pasur probleme shëndetësore dhe do të duhet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale për të hequr apendicitin. Sainz shfaqi probleme që në mes të javës, por mori pjesë në provat e lira të ditës së enjte, ku u rendit i gjashti, ndërsa më pas ndjeu sërish shqetësime dhe pas ekzaminimeve, u vendos që t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale.
Lajmin e ka dhënë vetë skuadra e Ferrarit, që bën me dije se në vendin e Sainzit, në Arabinë Saudite do të garojë piloti rezervë Oliver Bearman, i cili nuk do të marrë pjesë kështu në Formula 2.
Bearman është formuar si pilot pikërisht në akademinë e Ferrarit dhe do të ketë mundësinë të garojë për herë të parë në Formula 1, ku do të tentojë të lërë gjurmë, duke i dhënë pikë skuadrës italiane. Çmimi i madh i Arabisë Saudite do të zhvillohet të shtunën në orën 18:00.