Kasami: Blloku Urban 70 po merr pamje moderne
Kandidati për kryetar të Tetovës, nga radhët e VLEN, Bilall Kasami, tha se Tetova lagje pas lagje po transformohet dhe po merr pamje tjetër. Ai rikujtoi se këtë komunë e gjetën të rrënuar, me gropa e infrastrukturë të shkatërruar, dhe në kolaps.
“Sot, lagje pas lagje, Tetova po transformohet dhe po merr pamje tjetër. Sot erdha të shoh punimet në Bllok 70, një lagje e harruar nga pushteti i mëparshëm, me shumë probleme infrastrukturore. Në bashkëpunim me Qeverinë, me një investim prej 15 milionë denarë arritëm në transformimin e plotë të Bllokut Urban 70”, theksoi Kasami.
Ai nënvizoi se në kuadër të këtyre projekteve për transformimin total të infrastrukturës rrugore të qytetit , po ndërtohen shumica e rrugëve në lagjen Drenovec, lagjen Teqe, lagjen Potok, lagjen Kolltuk, lagjen Jashtë Vardari, lagjen tek Xhamia e Rinisë, lagjen Tetovarja, lagjen Cetinskë, bllokun urban përballë Tregut të Gjelbërt apo siç njihet lagjja Hajduçka.
“Edhe në Reçicë të Vogël, Reçicë të Madhe, Xhepçisht, Sellcë, Shipkovicë, Llacë, Saraqinë dhe në shumë lagje dhe fshatra tjerë ndërtuam dhe po ndërtojmë infrastrukturën rrugore, duke i transformuar në fshatra dhe lagje evropiane,” theksoi ai.
Kasami tha se rreth 430 milion denarë po investohen për infrastrukturën bazë dhe për ndërtimin e rrugëve të reja për lagjet dhe fshatrat e Tetovës.
“Hap pas hapi po e transformojmë Tetovën në një qytet modern dhe urban, duke mbyllur shumicën e problemeve infrastrukturore. Epoka e kaosit, papërgjegjësisë, Tetovës së rrënuar dhe me gropa ka marrë fund. Progresi që kemi arritur në këto 4 vjet nuk guxon të ndalet. Tetova nuk guxon të kthehet prapa. Tetova vazhdon përpara me Kapitullin e Dytë të zhvillimit. Edhe më shumë, edhe më mirë, edhe më fuqishëm” përmbylli Kasami.
The post Kasami: Blloku Urban 70 po merr pamje moderne appeared first on Flaka, në çdo lajm… .