Kasami e mohon problemin, ndërsa shqiptarëve u shkurtohen këshilltarët – vetëm në Gostivar 8 më pak
Kryetari i Tetovës dhe lideri i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, vazhdon të relativizojë një çështje serioze që prek drejtpërdrejt përfaqësimin politik të shqiptarëve në nivel lokal. Sipas tij, ulja e numrit të këshilltarëve në disa komuna “nuk ka bazë etnike” dhe “nuk është problematike”, megjithëse faktet tregojnë të kundërtën.
Vetëm në Gostivar, komunë me shumicë shqiptare, numri i këshilltarëve do të ulet për 8, një goditje e rëndë për përfaqësimin e qytetarëve shqiptarë në këshillin komunal. Dhe jo vetëm kaq – edhe në Tetovë, komuna që ai vetë e drejton, është paraparë ulje e numrit të këshilltarëve.
Në vend që ta mbrojë interesin e votuesve shqiptarë dhe të kërkojë zgjidhje institucionale për këtë padrejtësi që buron nga interpretime të kontestuara të rezultateve të regjistrimit, Kasami zgjedh të sulmojë opozitën shqiptare, duke e quajtur reagimin e tyre “lojë politike”. Në të njëjtën kohë, ai vetë angazhohet me retorikë boshe pa kërkuar llogari nga institucionet përgjegjëse dhe pa ndërmarrë veprime konkrete.
Kërkesat e tij të mjegullta për “vendime më të shpejta të Gjykatës Kushtetuese” duken më shumë si përpjekje për t’ia hedhur fajin diku tjetër, se sa si qëndrim i qartë për të mbrojtur përfaqësimin real të qytetarëve shqiptarë në këshillat komunalë.
Kjo qasje e zbutur dhe e paqartë ngre pikëpyetje serioze: Kujt i shërben Bilall Kasami, kur në vend që të mbrojë interesin e qytetarëve të vet, mundohet të minimizojë një padrejtësi të hapur?/smartnews.mk