
Kasami e nis ditën me ambasadorin e Kosovës, Qehaja: Bashkëpunimi Kosovë–Maqedoni e Veriut do të thellohet
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka zhvilluar sot një takim miqësor me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Shkup, Florijan Qehaja. Takimi nisi me një kafe pune, ku të dy zyrtarët diskutuan për zhvillimet më të fundit politike në rajon dhe në vend.
Kasami theksoi se marrëdhëniet mes Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut gjithmonë kanë qenë në nivelin më të lartë diplomatik, ndërsa u shpreh optimist për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Me hapjen e ‘One-Stop Shop’ në vendkalimet kufitare kemi afruar edhe më shumë qytetarët e dy vendeve tona, duke forcuar lidhjet mes shqiptarëve në rajon,” u shpreh Kasami.
Gjatë takimit u diskutuan gjithashtu çështje të rëndësishme si zhvillimi ekonomik, zgjedhjet lokale, rruga drejt integrimit në Bashkimin Evropian, si dhe tema të tjera me interes të përbashkët për të dyja vendet.
Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve të të dy vendeve.