
Kasami në takim me mërgatën në Austri: VLEN-i, gjithmonë zëri dhe forca juaj për zhvillim
Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, ka zhvilluar një takim të veçantë me bashkëatdhetarët shqiptarë në Hollabrunn të Austrisë, ku është pritur me ngrohtësi dhe dashamirësi nga mërgata shqiptare. Në këtë takim, që u karakterizua nga një atmosferë pozitive dhe diskutime për të ardhmen, Kasami vlerësoi kontributin dhe përkushtimin e bashkëatdhetarëve.
“Takimet me bashkëatdhetarët janë gjithmonë të ngrohta sepse ata janë njerëz punëtor, të përkushtuar dhe me zemrën plot dashuri për vendlindjen”, u shpreh ai në një postim në rrjetet sociale.
Kasami ishte i shoqëruar nga drejtori i VLEN-it, Haqim Ramadani, si dhe përfaqësuesit Dashmir Ollomani dhe Xhevat Xhemaili, përfaqësues i VLEN-it për Austri. Në takim ishte i pranishëm edhe z. Gynther Fehlinger, një mbështetës i njohur i çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Kreu i Tetovës theksoi se lëvizja VLEN mbetet e përkushtuar për të qenë zëri dhe forca e mërgatës shqiptare në proceset zhvillimore dhe politike në vend.
“Ju siguroj, se VLENI gjithmonë do të jetë zëri dhe forca juaj për zhvillim!”, përfundoi ai.