
Kasami për 5 Majin: “Të jemi të denjë për gjakun e dëshmorëve”
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka përkujtuar sot Ditën e Dëshmorëve, 5 Majin, me një mesazh për reflektim dhe respekt ndaj atyre që sakrifikuan për lirinë dhe dinjitetin e popullit shqiptar.
“5 Maji është data që na fton të ulemi me përulësi përpara historisë sonë. Është dita e kujtesës, kur Tetova përkulet me respekt përpara bijve dhe bijave të saj që sakrifikuan për lirinë, drejtësinë dhe dinjitetin njerëzor,” ka shkruar Kasami në një status në rrjetet sociale.
Ai theksoi se trashëgimia e dëshmorëve nuk i përket vetëm të kaluarës, por duhet të shërbejë si udhërrëfyes për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë e më të barabartë.
“Le të jemi të denjë për gjakun e tyre, duke ndërtuar një shoqëri më të drejtë, më të barabartë dhe më njerëzore,” u shpreh Kasami, duke përfunduar mesazhin me thirrjen: “Lavdi dëshmorëve! Lavdi popullit tonë!”