Këshilli i Arbitrazhit Sportiv ul nga 4 vjet në 9 muaj dënimin e ish-numrit 1 në botë
CAS (Këshilli i Arbitrazhit Sportiv) në Lozanë ka shprehur opinionin e tij për rastin e ish-numrit një të botës në tenis, rumunes Simona Halep, duke vendosur uljen e skualifikimit nga 4 vjet në 9 muaj. Duke pasur parasysh se pezullimi hyri në fuqi në tetor 2022, Halep ka më shumë se një vit që nuk luan. Për pasojë, ajo mund të rikthehet në fushë menjëherë, që javën e ardhshme.
“Besoj se e vërteta doli në shesh. Ka qenë një diskutim i gjatë, mund të them se pata rastin të paraqes mbrojtjen time”, tha Halep pas publikimit të vendimit nga CAS.
Tenistja 32-vjeçare, fituese e e dy grand slam në karrierë, kishte apeluar dënimin e saj katërvjeçar, e akuzuar për dy shkelje të ndryshme të rregulloreve antidoping. Agjencia Ndërkombëtare e Integritetit të Tenisit kishte njoftuar se Halep do të duhej të vuante dënimin prej katër vitesh.
Faktet datojnë që nga “US Open 2022”, kur rumunja rezultoi pozitive për një nga substancat e ndaluara nga rregullorja: “Roxadustat”.
Gjykata e pavarur, pavarësisht se kishte mbështetur tezën e Halep se ishte një suplement i kontaminuar, vendosi se sasia e substancës së gëlltitur nuk mund të kishte përcaktuar përqendrimin e “Roxadustat” të gjetur në kampionin pozitiv. Ndryshe ishte gjykimi i CAS-it, i cili pranoi tezën e hedhur nga Halep për kontaminimin e suplementeve ushqimore të marra.