
“Kjo ndodh vetëm në regjime totalitare” – Behrami reagon pas kërkesës së Speciales për t’ia ndaluar vizitat Thaçit
Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka reaguar pasi prokuroria e Dhomave të Specializuar ka kërkuar që Hashim Thaçit t’i ndalohen vizitat në paraburgim nga 14 persona, përfshirë edhe 3 vëllezërit e tij.
Ai ka bërë me dije se vetëm në regjime totalitare u ndalohet të paraburgosurve takimi me vëllezër ose bashkëpunëtorë të ngushtë!
Në profilin e tij në “Facebook”, Behrami ka shkruar se prokuroria e Speciales po e pranon edhe vetë se krejt procesi gjyqësor kundër krerëve të UÇK-së është politik.
“Vetëm në regjime totalitare u ndalohet të paraburgosurve takimi me vëllezër ose bashkëpunëtorë të ngushtë! Prokuroria e Gjykatës Speciale kërkon t’ia ndalojë vizitat e vëllezërve dhe të bashkëpunëtorëve të Presidentit Thaçi. Një nga arsyetimet ishte: “Po ia mundësojnë Thaçit mbështetjen dhe përditësimin me situatën politike dhe ekonomike në Kosovë” Aha.! Pra, ideja e mbajtjes së tij në paraburgim qenka që ai të shkëputet tërësisht nga ngjarjet politike në Kosovë. Prokurori edhe vetë e pranon se krejt procesi gjyqësor kundër krerëve të UÇK-së është politik”, ka shkruar Behrami.