Klop ironizon: “Presim që Man. Siti të fitojë çdo sfidë, asgjë nuk ndryshon”
“Të Kuqtë” e Liverpullit nuk arritën të ruanin ecurinë pozitive të fitoreve radhazi, teksa pasditen e së dielës u mund ënpaq nga “Topçinjtë” e Arsenalit me 1-3, duke tronditur jo pak pozitat e djemve të teknikut, Jurgen Klop, në vendin e parë të tabelës së Premier Ligës.
Tekniku gjerman për mediat, pas sfidës, u shpreh se nuk ndjen presion nga “qytetarët”, pasi që në fillimin e sezoni objektivat janë të qarta, teksa kurrë nuk vihet në dyshim aftësia e kampionëve në fuqi të Premier Ligës, për të fituar çdo sfidën në elitën e futbollit anglez.
“Nuk jam nervoz që Man. Siti ka dy ndeshje në dorë. Ne gjithmonë presim që Siti të fitojë të gjitha ndeshjet e tyre për të qenë 100% i sinqertë. Ne as nuk kemi nevojë t’i shikojmë ato. Çdo gjë është në rregull. Asgjë nuk ka ndryshuar realisht për ne. Do të kishim dashur të fitonim ose të merrnim një pikë, por nuk ishim mjaftueshëm të mirë për të gjithë 90 minutat”, u shpreh Klop.
Liverpulli mbetet në vendin e parë me 51 pikë, por tashmë diferenca me Arsenal të vendit të dytë është vetëm 2 pikë, ndërsa Man. Siti pozicionohen në vendin e tretë me 5 pikë më pak se “Të Kuqtë”, mirëpo kanë zhvilluar 2 ndeshje më pak se këta të fundit dhe pritet që gjithçka të ndryshojë në renditje pas përfundimit të këtyre sfidave.