Klubet nga Premier Liga kërkojnë Feliksin, Atletiko insiston për shitje të përhershme
E ardhmja e sulmuesit portugez Zhoao Feliks mbetet ende enigmë. Pas një sezoni pozitiv, i huazuar te Barcelona, lojtari do të kishte preferuar të qëndronte në klubin katalanas. Atletiko Madrid, që ka pronësinë e futbollistit, e ka bërë gjithmonë të qartë pozicionin e tij të fortë për të shitur përgjithmonë 25-vjeçarin.
Atletiko nuk dëshiron më ta japë në huazim lojtarin, aq më tepër një rivali direkt në kampionat. Dhe problemet financiare të Barçës po e shtyjnë Zhoao Feliksin diku tjetër. Sipas “Relevo”, Arsenal i është shtuar listës së kërkuesve për sulmuesin portugez. Skuadra e drejtuar nga Mikel Arteta është futur në garë për blerjen e Zhoao Feliks.
Ndërkohë që, edhe interesimi i Benfika-s nuk është zbehur kurrë, madje duke ofruar 20 milionë euro për gjysmën e transferimit të Zhoao Feliksit. Në kahun tjetër, Atletiko Madrid e ka refuzuar këtë ofertë, duke kërkuar 30 milionë euro në këmbim.
Lojtari aktualisht ndodhet në pushime pas Europianit, ku gabimi i tij nga pika e bardhë solli eliminimin ndaj Francës në çerekfinale. Sipas shtypit portugez, Feliks nuk ka ndërmend të kthehet në Madrid në fund të muajit për t’u ribashkuar me Atletikon dhe, në të njëjtën kohë, është afruar edhe Aston Villa. Klubi anglez ka ofruar ta marrë atë në huazim, por kjo lloj formule, siç u përmend, nuk është pjesë e planeve të klubit madrilen.