
KM Liria do të garojë me 3 mundës në turneun e fortë në Rusi
Klubi i Mundjes “Liria” do të garojë me 3 mundës në turneun e mirënjohur rus “Ivan Jarigina”, i cili nga 22 e deri më 27 janar do të zhvillohet në Krasnojarsk të Rusisë.
Mundësit që do të prezantojnë KM Liria në këtë event janë: Besir Alili në garën e mundësve deri më 61 kg, Fati Vejseli në 70 kg dhe Rexhep Hajdari në 92 kg.
Pjesë e ekspeditës së KM Liria janë edhe nënkryetari i Federatës së Mundjes së Maqedonisë, Ahmed Ademi dhe trajneri Abaz Emini.
Në eventin e mirënjohur të mundjes në Rusi, do të marrin pjesë mundës nga 17 shtete: Azerbajxhani, Bjellorusia, Venezuela, India, Irani, Kazakistani, Kina, Kuba, Kirgistani, Meksika, Mongolia, Maqedonia e Veriut, Taxhikistani, Turqia, Uzbekistani, Rusia dhe Koreja e Jugut.