“Koha për rezultate”, mesazhi i presidentit të KE-së para turit në Ballkan
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa do të zhvillojë një tur diplomatik në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në prag të Samitit BE–Ballkani Perëndimor. Këtë të dielë ai shkruan në një postim në rrjetin social X, se vizita e tij po bëhet me qëllim për të dërguar një sinjat të qartë për vendet e Ballkanit Perëndimor.
ANTONIO COSTA, PRESIDENT I KËSHILLIT EVROPIAN
“Këtë javë, do të vizitoj gjashtë partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor. Vizita ime në rajon dërgon një sinjal të qartë: angazhimi ynë ndaj Ballkanit Perëndimor është real, dhe kështu është edhe mundësia e zgjerimit. Momenti është aty. Tani është koha për të dhënë rezultate”.
Kujtojmë se sami BE–Ballkani Perëndimor do të mbahet më 5 qershor në Tivat dhe përfaqëson një moment historik, pasi organizohet për herë të parë në Mal të Zi, i konsideruar së bashku me Shqipërinë si shtete pararojë të procesit të zgjerimit.
Programi përfshin dy seanca kryesore: një takim plenar dhe një drekë pune. Takimi plenar do t’i kushtohet progresit në afrimin dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE dhe Axhendën e Rritjes, duke forcuar njëkohësisht stabilitetin rajonal, lidhshmërinë dhe qëndrueshmërinë.
Dreka e punës do të përqendrohet në politikën e zgjerimit, sfidat dhe mundësitë kryesore, si dhe në përafrimin me politikat dhe standardet evropiane, duke konfirmuar se zgjerimi mbetet një nga çështjet kryesore strategjike të Bashkimit Evropian. /SHENJA/
